Arrestohet një person për vjedhje të rëndë, policia publikon pamje

Stacionet policore të rajonit të Prishtinës, në kuadër të intensifikimit të masave të marra në drejtim të garantimit të rendit dhe sigurisë publike, si dhe goditjes së individëve dhe grupeve kriminale, kanë organizuar punën e tyre me fokus të veçantë zbardhjen e veprave kriminale, identifikim dhe arrestimin e të dyshuarve të implikuar në ngjarjet kriminale.

Pas marrjes së informatës për një vjedhje të rëndë të ndodhur në një institucion financiar në rrugën “Hajredin Bajrami” në Lipjan rreth orës 02:30, njësitet policore të Lipjanit kanë organizuar një operacion të shpejtë i cili ka rezultuar me arrestimin në ikje e sipër të një të dyshuari që dyshohet të jetë përfshirë në rastin në fjalë.

Veprimet e shpejta i kanë mundësuar policisë ta identifikonte veturën e shfrytëzuar nga të dyshuarit si dhe drejtimin e ikjes.

Ndjekja policore ka vazhduar deri në momentin kur në fshatin Qylagë të Lipjanit, të dyshuarit kanë humbur kontrollin mbi veturën e tyre dhe kanë dalë nga rruga.

Me këtë rast policia ka arrestuar të dyshuarin;

• H. G, mashkull, 31 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe,
pas një kontrolli që i ka bërë automjetit ka gjetur dhe sekuestruar;

– Një revole të tipit “Zoraki”, si edhe
-Pesë fishekë.

Ndërkohë që policia ka kontrolluar edhe perimetrin përreth, pak më tutje është gjetur edhe kasaforta (kasa) e zbrazët.

Ndaj të dyshuarit është shqiptuar masa e arrestit policor dhe me urdhër të prokurorit të shtetit ai është dërguar në mbajtje prej 48 orësh dhe ndaj tij është iniciuar rasti vjedhje e rëndë si edhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i pa autorizuar i armës.

Aktualisht policia ka zgjeruar horizontin e hetimeve për të identifikuar edhe të dyshuarit e tjerë të mundshëm të cilet në çfarëdo forme mund të jenë implikuar në këtë rast.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë