Lladrovci pret në takim Kryeshefen Ekzekutive të Postës së Kosovës

Kryetari i Komunës së Drenasit ka pritur në një takim u.d. Kryeshefe Ekzekutive të Postës së Kosovës, Vjollca Shala- Mulaj dhe zyrtarë të Postës së Kosovës.

Takimi kishte karakter njoftues dhe me këtë rast kryeshefja Shala-Mulaj falënderoi kryetarin Lladrovci për bashkëpunimin e deritanishëm dhe diskutoi për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha të rëndësishme, që prekin interesin e qytetarëve të Komunës së Drenasit.

“Kam zgjedhur Drenasin si komunën e parë në vazhdën e vizitave të mia nëpër komuna për arsye se Drenasi është Komuna me përformancën më të mirë në Kosovë” tha kryeshefja Shala- Mulaj. Me këtë rast ajo i dhuroi kryetarit Lladrovci një ekzemplar të Filatelisë me pulla postare që për motiv kanë heronjtë Fehmi dhe Xhevë Lladrovci.

Kryetari Lladrovci falënderoi Kryeshefen Shala- Mulaj për vizitën dhe gatishmërinë për bashkëpunim të ndërsjellë dhe me këtë rast u dhuroi medaljonet e punuara nga gratë e Qendra për Promovimin e Drejtave të Grave (QPDG) me seli në Drenas.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë