Kush ia vuri flakën arës me grurë të Gecëve, policia po heton që 4 muaj

As pas katër muajsh, organet e hetuesisë nuk kanë arritur ta gjejnë atë që ia vuri flakën arës së vëllezërve Geci nga Llausha e Skenderajt. Në Polici deklarojnë se hetimet po vazhdojnë, por se ende nuk ka asnjë të dyshuar për këtë rast. Ndërkohë, familja Geci thotë se këtë punë ia ka lënë organeve të drejtësisë, derisa zjarrin në arën e tyre e lidhin edhe me presidentin Thaçi. Lidhur me këtë rast, Prokuroria e Shtetit kishte dalë në përfundime se zjarri ishte i qëllimshëm.

Rreth pesë hektarë tokë me grurë ishin përfshirë nga flaka mbrëmjen e 7 korrikut të këtij viti, në Kopiliq të Skenderajt. Ara në të cilën u ndezën 15 zjarre njëkohësisht u përket vëllezërve Geci nga Llausha e Skenderajt.

Por, pavarësisht se kanë kaluar disa muaj prej kësaj ngjarjeje, ende nuk ka ndonjë të dyshuar për këtë rast. Policia thotë se hetimet po vazhdojnë.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës i ka thënë Expressit se ende nuk ka ndonjë të dyshuar për këtë rast.

“Rasti është ende nën hetime. Nuk ka ndonjë të dyshuar për këtë rast”, ka thënë Zahiti.

Lidhur me këtë rast, Prokuroria e Shtetit kishte dalë në përfundime se zjarri ishte i qëllimshëm.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Mitrovicës, Valon Preteni, i kishte thënë Gazetës Express se në bazë të hetimeve të para, zjarri në të mbjellat e familjes Geci ishte ndezur qëllimshëm.

“Prokurori kujdestar ka urdhëruar policinë që të mbledhin sa më shumë prova deri në zbardhjen e rastit pasi që nga hetimet e para shihet se zjarrvënia ka qenë në 15 vende brenda arës”, kishte thënë Preteni.

Ndërkohë, në familjen Geci deklarojnë se këtë punë e kanë lënë në dorë të organeve të drejtësisë.

Fadil Geci, zjarrin në të mbjellat e tyre e lidh edhe me presidentin Hashim Thaçi. Thotë se nëse do të kishte mundësi, ai do t’ua ndalte edhe bukën.

“Hetuesit janë tu u marrë me këtë rast. Organet s’na kanë lajmëruar më kurrgjë. Afër Thaçit gjenden. Afër tyre janë arat. Janë kanë 200 hektarë grurë, edhe xhelozi edhe kundërshtime. Ma shumë se Hashim Thaçin s’e kemi kurrkënd kundërshtarë në Kosovë. Edhe politikisht, edhe kështu. Me mujt ai na e ndal bukën. Po tash nuk e dimë, ka mbetë në dorë të hetuesisë”, ka thënë ai.

Sipas tij, Policia ka marrë në pyetje disa bashkëfshatarë të presidentit, për të cilët ata kanë pasur dyshime dhe se tani janë në pritje të rezultateve të tyre.

“Prej atëherë ma s’kemi marrë ndonjë informatë. Ata i kanë marrë disa në pyetje që kemi dyshu edhe na, disa bashkëfshatarë që gjenden në afërsi të arave, pra te Buroja. Tash jemi tu i prit se çfarë rezultatesh po na jepin”, ka thënë Geci për Express

Edhe vëllai i tij, Nebihu, një ditë pas zjarrit kishte bërë aludime në adresë të presidentit Thaçi duke thënë se ara ndodhet afër fshatit Burojë.

“Fshati Kopiliq është ngjitë me fshatin Burojë nga vjen edhe Hashim Thaçi”, kishte shkruar ai në Facebook.

Ndërkohë, në Polici kishin thënë se hetimet për këtë rast janë duke vazhduar.

“Rasti është cilësuar si zjarrvënie. Janë djegur diku rreth 5 hektarë. Hetimet janë duke vazhduar”, kishin thënë në Polici.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë