Zyrtarizohet kandidatura e Petrit Hajdarit për deputet, ja çfarë premton ai

Diplomati Petrit Hajdari ka njoftuar edhe zyrtarisht se është kandidat për deputet në listën e Partisë Demokratike të Kosovës, raporton DrenicaOnline.
Hajdari që vjen nga Drenasi në njoftimin e tij ka thënë se vendi ynë në mandatin e ardhshëm qeverisës do të kapërcejë nëpër sfida të mëdha në raport me faktorizimin e mëtejshëm ndërkombëtar, e konsolidimin shtetëror.

Por, sfidat e mëdha kërkojnë liderë të mëdhenj siç thotëe Hajdari si Kadri Veseli, e parti idealesh si Partia Demokratike e Kosovës.

Njoftimi i plotë i Hajdarit:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Për këto vite sa kam qenë aktiv në politikë, kemi kapërcyer shumë sfida së bashku. Kemi qenë dëshmitarë të udhëkryqeve të mëdha për vendin tonë të dashur. Kemi ndjerë dhimbje saherë vendi ynë ka ngecur, e kemi festuar me entuziazëm kur ka arritur suksese.
Rruga ka qenë jo e lehtë, por motivi ka qenë i qartë: Kosova, para së gjithash e para të gjithëve.

Simbolika e bukur e këtij përkushtimi, është përvjetori i sotëm i Kushtetutës së Kaçanikut. Për mua nuk ka ditë më të bukur e më domethënëse se kjo për t’ju dhënë juve, njerëzve të mi, lajmin që dua t’ju jap.

Duke i dhënë një vlerësim që më ka nderuar e prekur pa masë kontributit tim të deritanishëm, Partia Demokratike e Kosovës me në krye Kryeministrin e ardhshëm, z.Kadri Veseli, ka vendosur që unë të jem mes kandidatëve për deputetë të kësaj partie.

Miq të dashur,

Vendi ynë në mandatin e ardhshëm qeverisës do të kapërcejë nëpër sfida të mëdha në raport me faktorizimin e mëtejshëm ndërkombëtar, e konsolidimin shtetëror. Por, sfidat e mëdha kërkojnë liderë të mëdhenj si z.Kadri Veseli, e parti idealesh si Partia Demokratike e Kosovës.

Në strukturat e Partisë Demokratike të Kosovës, si edhe të Rinisë Demokratike të Kosovës, kam qenë që nga themelimi. Për shtatë vite, Partisë Demokratike i kam shërbyer edhe si anëtar kryesie i degës në Drenas. Kam shërbyer në Zyrën e Kryeministrit, kam qenë dy mandate këshilltar komunal në Asamblenë Komunale në Drenas dhe konsull në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Lubjanë.

Duke qenë se Partia Demokratike e Kosovës, e vetmja parti shtetformuese, e ka menduar si të mjaftueshme përvojën e kontributin tim që të më bëjë këtë nder të kandidimit, jam edhe më i sigurtë kur them para jush se përvoja ime politike dhe energjia ime për kontribut në procese shtetndërtuese, janë referenca të mira që sot me respektin më të lartë e përuljen më të thellë t’jua kërkoj besimin tuaj.

Duke ju falenderuar për përkrahjen tuaj, ju shpreh edhe njëherë zotimin tim që vendimet e mia si deputet do të jenë reflektim i plotë i vullnetit tuaj si votues.

Besimi juaj, obligimi im.

I juaji,
Petrit E. Hajdari.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë