Nënkryetari Hasi viziton shkollat e Drenasit dhe uron për fillimin e vitit të ri shkollor

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, nënkryetari i Komunës së Drenasit, Nazmi Hasi i shoqëruar nga Drejtori i Arsimit i Komunës së Drenasit kanë vizituar Shkollën e Mesme të Lartë “Gj. K. Skënderbeu” në Drenas si dhe Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Xheladin Plaku” në Komoran, Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Jusuf Gërvalla” në Negroc, Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Gani Elshani” në Krajkovë si dhe Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Migjeni” në Baicë dhe u takuan me drejtorët, me mësimdhënësit e nxënësit e shkollave respektive.
Me këtë rast kanë uruar nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit e pranishëm për fillimin e vitit të ri shkollor.
Nënkryetari Hasi i uroi nxënësit “me dëshirën për të zënë sa më shumë njohuri sepse sa më shumë dituri, perimetri i errësirës zvogëlohet”. Më tej u tha se “nëse ju mësoni dhe jeni të sjellshëm atëherë gjëra të mrekullueshme do të ndodhin për ju, për familjet tuaja dhe për shtetin tuaj. Pra influenca e diturive tuaja ka një rreze të madhe të veprimit.” Gjithashtu nënkryetari ftoi nxënësit që t’i respektojnë mësuesit sepse siç thuhet “Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë” dhe “Një mësues i mirë është si një qiri: ai konsumon vetveten për t’ua ndriçuar rrugën të tjerëve.”
Edhe Drejtori Komunal i Arsimit i përshëndeti dhe uroi për shumë suksese nxënësit dhe mësimdhënësit.