A ka kush t’i zbardhë vrasjet dhe krimet tjera ndaj gazetarëve?

Meqë sot, më 3 Maj, shënohet edhe në Kosovë Dita e Lirisë së Shtypit duhet të paktën t’i përmendim dhe t’i përkujtojmë gjithë ata gazetarë të vrarë, të plagosur, të sulmuar e të kërcënuar. Në të njëjtën kohë edhe të shkruajmë dhe të hulumtojmë rastet kur kanë pësuar gazetarët e janë harruar nga drejtësia.

Fatmire Terdevci pas luftës ka punuar gazetare në gazetën “Koha Ditore”. Para se të bëhej nënë për herë të parë, në muajin e shtatë të shtatzënisë, ajo ishte plagosurnë kohën kur raportonte për biznesin e madh të jashtëligjshëm nga kontrabandistët e naftës.

Në shtatorin e sivjetmë, mbushen 15 vjet kur ka ndodhur sulmi me plumba ndaj gazetares Tërdevci dhe askush s’është arrestuar, akuzuar e dënuar. Fillimisht është thënë se dosja e saj është zhdukur në polici e prokurori.

Më pas, në polici kanë thënë se dosja nuk është zhdukur, por se nuk kanë gjetur asnjë fakt se kush ka shtënë mbi veturën në të cilën gjendej gazetarja hulumtuese. Policia ka thënë se kallëzimin penal e ka dorëzuar në ish-Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë, në mars të vitit 2007, me NN, pra pa zbardhur asnjë detaj të personit apo personave të dyshuar për plagosjen e gazetares, ndaj së cilës kishte pasur një tentim vrasje. Tani në Prokurorinë Speciale thonë se s’e kanë gjetur fare rastin e gazetares së plagosur pasluftës.

Heshtja edhe e tanishme e këtyre institucioneve për zbardhjen e plagosjes së gazetares dhe tentim vrasjen ndaj saj, shpërfaq më së miri dështimin e institucioneve të drejtësisë ose lidhjen që ka ekzistuar dhe ekziston ndërmjet segmenteve të caktuara të organeve të ndjekjes me kriminelët që kishin tentuar ta vrisnin atë. Kjo polici bashkë me prokurorinë kanë dështuar të zbardhin edhe plotë raste tjera edhe më të rënda kur kriminelëve nuk u kanë mbetur veprat në tentativë, por kanë arritur që të vrasin gazetarët në Kosovësi gazetarin Bekim Kastrati, për të cilin rast kanë pushuar hetimet më 21 mars të vitit 2016, por pa e zbardhur rastin. Prokuroria Speciale ende është në fazën preliminare të hetimeve për vrasjen e gazetarit Xhemajl Mustafa. S’ka asnjë rezultat as në zbardhjen e vrasjes së gazetarëve Afrim Maliqi, Enver Maloku, Shefki Popova, Krist Gegaj, Shaban Hoti, Marjan Melonashi, Gjuro Sllavuj, Ranko Pereniq, Lubomir Knezeviq, Millo Buleviq, Aleksandar Simoviq dhe Momir Stokusha. Të gjitha këto vrasje të gazetarëve vazhdojnë të mbesin enigmatike.

Moszbardhja e krimeve prej më të rëndave, duke filluar prej vrasjeve, plagosjeve e kanosjeve ndaj gazetarëve, vetëm sa ua shton vullnetin kriminelëve potencialë që të motivohen dhe të vazhdojnë me kërcënime, sulme fizike e deri edhe te vrasja e gazetarëve.

Në Prokurorinë e Shtetit arsyetohen se këto raste i kanë pasur ndërkombëtarët dhe nuk kanë mundur t’i zbardhin. Janë zotuar se posa të kenë ndonjë ndonjë provë të reja do t’i rifillojnë hetimet për zbardhjen e vrasjes së gazetarëve. Kjo nuk qëndron, sepse askush s’i ka ndaluar prokurorët vendës të zbatojnë obligimet ligjore në ndjekje të këtyre kryerësve. Por, si atëherë si tash, më lehtë për ta është të arsyetohen për dështimet, duke ia faturuar ato ekskluzivisht ndërkombëtarëve.

Bazuar në mungesën e rezultateve të organeve të ndjekjes në zbardhjen e rasteve të gazetarëve, rezulton se pritjet nga ky sistem i drejtësisë se do të mund të sjellin drejtësi për familjet e gazetarëve të vrarë, të plagosur, të kërcënuar e të rrahur janë utopike. Disa protagonistë në hetuesi të policisë dhe prokurorisë më së paku merren me drejtësi, sidomos më zbardhjen e rasteve të gazetarëve, të cilët shpesh dalin të jenë të vetmit që ua prishin metematikat kriminale, duke ua ekspozuar ato para publikut.  Ata janë të zënë me sporte tjera ku luajnë dhe arrijnë rezultate të shkëlqyeshme. Në këtë situatë, nuk ka zgjidhje tjetër, përveç një vetingu të thellë në sistemin e drejtësisë. Është koha të vijnë në shprehje policët, prokurorët dhe gjykatësit me integritet, të cilët nuk janë pak brenda sistemit të drejtësisë që do të zbardhin krimet ndaj gazetarëve.

Një fjali për 15 vjet

Nuk gjen tekst në mediat online të kenë trajtuar përmbajtësisht plagosjen e rastit të gazetares Fatmire Terdevci. Në fakt, nëse kërkon në internet gjen një fjali që është shkruar për një përvjetor të gazetës ku ka punuar gazetarja. Aty vetëm shkruan se gazeta mbulonte gjithçka me dëshmi pavarësisht kërcënimeve të vazhdueshme dhe plagosjes së gazetares Fatmire Tërdevci”.

Kjo heshtje edhe e gazetarëve për të shkruar e raportuar për rastet e kolegëve që u janë vrarë, plagosur, rrahur e kërcënuar duhet të ndryshojë. Gazetarët në Kosovë duhet të shkruajnë dhe të kërkojnë përgjigje dhe përgjegjësi për zbardhjen e rasteve të kolegëve.

Nuk është vështirë t’i gjesh emrat e gazetarëve të kërcënuar, të frikësuar e të sulmuar. Te faqja e Asociacionit të Gazetarëve vetëm në vitin e kaluar rezulton se ishin 16 raste të raportuara për kërcënime, rrahje e shantazhe ndaj gazetarëve. Në vitin 2017, ishin 24 raste. Ndërsa, më 2016 ishin 15 raste. 14 raste ishin të paraqitura më 2015.

Në mesin e gazetarëve të kërcënuar, të frikësuar e të sulmuar, të raportuar në AKG, janë edhe: Agim Ademi, Meriton Dajakaj, Edona KutleshiShkumbin Kajtazi, Valon Rashiti, Bujar Vitija… Në AGK dhe mund t’i gjeni edhe rastet më të vjetra.

Heshtja e lirisë së shtypit

Kur ke kaq shumë gazetarë të kërcënuar e të sulmuar ke liri jo të plotë të shtypit dhe fjalës. Formalisht në Kosovë ekziston liria e shtypit. Në raportin e fundit të “Reporterëve pa Kufij” renditet në vendin e 75-të, tri vende më mirë se vitin e kaluar. Në këtë raport shteti që ka mbushur 11 vjet është më mirë se Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Bosnja.

Fatmirësisht, në vitet e fundit s’ka pasur vrasje të gazetarëve në Kosovë, por në botë kanë vazhduar të pësojnë lajmëtarët.

Vetëm vitin e kaluar, sipas Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, janë vrarë 94 gazetarë e punëtorë të mediave. Më 2017 ishin vrarë 82 gazetarë. Pra, për një dekadë rreth 800 gazetarë të vrarë.

Rastet e vrasjes së gazetarëve vështirë zbulohen edhe në botë. Por, presioni publik në vendet e zhvilluara është shumë më i madh sesa te ne. Prokuroria e Kosovës ka thënë se ka ngritur pesë aktakuza ndaj sulmuesve të gazetarëve. Është numër shumë i vogël i atyre që ndiqen nga Prokuroria.

Shembulli i Fatmire Terdevcit nuk duhet të shërbejë për të vajtuar mbi profesionin sepse gazetaria prej kur ka nisur është përballur me tendencat e kontrollit mbi të dhe për problemin e “heshtjes së saj”.

Heshtja e drejtësisë karshi dhunës ndaj mediave është tentim i heshtjes së shoqërisë dhe i pengimit të zhvillimit të saj.

Rasti i Fatmires nuk është as përpjekje për të riprodhuar një situatë që në një ditë të caktuar të lirisë së pretenduar të shtypit të viktimizohen mediat, por një alarm se heshtja e saj dhe e rasteve të ngjashme është përpjekje për të degraduar shoqërinë  dhe për të injoruar të drejtën e informimit. Mediat mbase mund të kenë ndryshuar në dhjetëvjetëshin e fundit, por e drejta e tyre për të informuar dhe e drejta e qytetarëve për t’u informuar nuk ka ndryshuar.

Meqë sot, më 3 Maj, shënohet edhe në Kosovë Dita e Lirisë së Shtypit duhet të paktën t’i përmendin dhe t’i përkujtojmë gjithë ata gazetarë të vrarë, të plagosur, të sulmuar e të kërcënuar. Në të njëjtën kohë edhe të hulumtojmë edhe të shkruajmë për rastet kur kanë pësuar gazetarët e janë harruar nga drejtësia. Duhet të kërkojmë llogari ndaj zyrtarëve përgjegjës, për ta bërë drejtësinë për viktimat e krimit. Këtë duhet ta bëjmë edhe për rastin e heshtur e të pazbardhur të krimit ndaj Fatmire Terdevcit.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë