Objektet pa leje në Drenas, Komuna planifikon 80 mijë € për rrënimin e tyre

Objektet pa leje nëpër komunat e Kosovës që nga pas lufta ka qenë i lartë. Vetëm në Komunën e Drenasit që nga pas lufta janë regjistruar 14 mijë objekte pa leje, të cilat janë të regjistruara në listën e objekteve për legalizim.
Këto të dhëna janë bërë të ditura për Indeksonline nga Drejtoria e Inspeksionit në kuadër të Komunës.
“Lista e Objekteve pa leje ndërtimore të klasifikuara nga inspektorët e ndërtimit nga viti 2018 deri më tani është 28 duke përfshirë edhe tejkalime të lejes, zgjerime, etj, ndërsa në total qe nga pas lufta në Komunën e Drenasit janë të regjistruara 14 mijë objekte pa leje të cilat janë të regjistruara në listën e objekteve për legalizim”, thuhet në përgjigjën e tyre.
Ndërsa, para disa ditësh, kjo komunë në listën e prokurimit ka publikuar një retender për rrënimin e objekteve pa leje.
Në këtë kontratë bëhet e ditur se ky projekt do të zgjas tri vjet, ku përgjatë këtyre viteve do të rrënohen të gjitha objektet e ndërtuara pa leje.
Vlera e parashikuar e kontratës për këtë projekt është 80 mijë euro. Për këtë çmim, Komuna ka këtë përgjigje.
“Projekti i Rrënimit është kontratë kornizë ( 3 vjeçare) i cili në bazë të planifikimit të buxhetit dhe çmimit të tregut ne jemi bazuar ne këtë kërkesë dhe ka rezultuar me këtë çmim”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Afati kohor për dorëzimin e tenderëve është shkurtë pasi ish operatorit ekonomik i është ndërprerë kontrata për rrënimin e objekteve pa leje, por në terren janë duke u ndërtuar disa objekte pa leje të cilat duhet të rrënohen.
Sipas Komunës, arsyeja e ndërprerjes së kontratës me ish operatorin është se ka lënë pezull shtatë urdhër ekzekutime pa i realizuar.
“Operatori ekonomik është shkëputur në procedurë të rregullt të prokurimit pas vërejtjeve të bazuara për mos veprim dhe duke na lënë pezull 7 Urdhër Ekzekutime pa i realizuar”, thuhet ndër të tjerash në përgjigjen e tyre.dre