Ordinancat private “frikësohen” të kryejnë aborte

Me hapa të ngadaltë po i afrohet një salle të vogël. Një grua e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, ka vendosur t’i japë fund shtatzënisë duke e abortuar frytin.

E shkak për këtë dolën të jenë kushtet e rënda financiare. Pasi përfundoi abortin për shkak të plogështisë mori edhe një infuzion. E shoqëruar nga bashkëshorti u larguan për shtëpi.

Salla numër 16 është në Klinikën Gjinekologjike-Obstetrike një sallë e vogël ku kryhen abortet. Në hyrje të kësaj salle në mur është e vendosur një fotografi ku pasqyrohet periudha e shtatzënisë te një grua. Ndonëse këtu kryhen aborte, në këtë fotografi thuhet se “Vendi më i mirë për rritjen e foshnjës tuaj është brenda jush”

Jakup Ismajli, obstetër gjinekolog, si dhe ushtrues detyre i shefit të ambulancave të pranimit dhe planifikimit familjar, thotë për “HUMAN” se kryesisht në këtë klinikë numri më i madh i aborteve kryhet nga gratë të cilat kanë më shumë se dy fëmijë.

Para se të kryhet një abort, fillimisht pacientja duhet të jetë në dijeni për pasojat dhe komplikimet që mund të ketë, për krizat psikike dhe emocionale. E për këtë, kohë kanë për të menduar një apo dy ditë.

Ismajli thekson se pas javës së dhjetë abortet mund të kryhen deri në javën e 22-të, mirëpo të tilla bëhen vetëm në rast të indikacioneve shëndetësore qoftë nga nëna apo fryti.

Vetëm në vitin 2019, në këtë klinikë për periudhën janar-shkurt, janë kryer gjithsej 19 aborte.

Për të kryer një abort, duhet të bëhet një pagesë prej 40 eurosh.

Sipas punonjësve të kësaj klinike ka raste të shumta që gratë shkojnë për të kryer abort, por pastaj vendosin ta mbajnë foshnjën.

Përveç, aborteve të cilat bëhen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, shumë prej tyre bëhen edhe në ordinanca gjinekologjike private.

Çështja e abortit këto ditë është riaktualizuar kur një vajzë nga Drenasi nga personi i cili u keqtrajtua seksualisht u detyrua të abortonte foshnjën në javën e dhjetë nga doktor Fehmi Ahmeti në ordinancën e tij “Kestrina”, e cila nuk ishte e licencuar. Për shkak të shkeljeve ligjore, tani qëndron e mbyllur.

Në mbrojtje të kolegut të tyre kishte dalë edhe Shoqata e Gjinekologëve të Kosovës. Ata përmes një komunikate kanë thënë se Ahmeti është shënjestruar pa të drejtë.

Mirëpo, se kjo ordinancë nuk ka pasur licencë kur është kryer aborti, e thotë edhe vetë ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli.

Ndërprerje e shtatzënisë me dhunë apo abort, këto ditë është bërë edhe nga 28-vjeçari nga Gjilani, Sh.H., i cili dyshohet se për pesë muaj ka ushtruar dhunë dhe presion psikologjik ndaj bashkëshortes së tij A.R., me të cilën kanë pak muaj martesë, duke e detyruar që ta abortojë foshnjën disa muajsh në një ordinancë gjinekologjike në Maqedoni.

Për dallim nga këto raste, disa ordinanca private gjinekologjike nuk kanë pranuar të kryejnë abortin në javën e 11-të dhe 12-të. Madje referojnë që ky intervenim për shkaqe të sigurisë dhe komplikimeve që mund të sjellë të kryhet në QKUK.

Ndërprerja e shtatzënisë është e rregulluar me ligj në Kosovë që nga viti 2008. Qëllimi i vendimit për lejimin e ligjit për ndërprerjen e shtatzënisë bëhet për shkaqe informative, shëndetësore dhe të largimit të rrezikshmërisë së jetës.

Kryetari i Shoqatës së Gjinekologëve në Kosovë, Shefqet Lulaj, thotë se në spitalin “Sirona”, ku ai punon përveç shërbimeve të tjera gjinekologjike,  e kanë të licencuar edhe ndërprerjen e shtatzënisë.

Lulaj tregon se e kanë të obligueshme fillimisht gratë që duan të kryejnë abort t’i këshillojnë rreth abortit.

Ai thotë se komplikimet gjatë abortit janë të rralla, megjithatë janë të mundshme.

Lulaj tregon se fatkeqësisht ka abuzime me aborte në Kosovë. Një problem tjetër është se shumica e aborteve të kryera nuk shënohen dhe për këtë nuk ka ndonjë stastikë reale.

Abort ilegal, Lulaj thotë se kanë nënkuptuar, kur është kryer nga një person jo profesionist gjinekolog obstetër. Më herët, shumë aborte janë kryer nga plakat të cilat me duke I lidhur gratë me penjë apo duke vënë shishe me ujë të nxehtë në barkun e gruas kanë shtyrë në humbjen e fëmijës.

Sot një dukuri e tillë, nuk ekziston. Lulaj shton se duhet të definohet mirë ligji dhe t’ua mundësojë që abortin ta kryejnë vetëm ato institucione të cilat janë kompetente dhe I plotësojnë kriteret.

Faik Hoti nga Ministria e Shëndetësisë, thotë se përveç ligjit që e rregullon ndërprerjen e shtatzënisë, çështja sa I përket fushëveprimtarisë sidomos këtyre që lidhen me sektorin privat shëndetësor, janë të rregulluara me udhëzime administrative.

Në bazë të të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, në divizionin për licencim dhe akreditim të institucioneve shëndetësore për periudhën 2014-2018, janë të licencuara rreth 120 ambulanca specialistike gjinekologjike. Mbi 30 janë të licencuara vetëm gjatë vitit 2018.

Ndërkohë, Inspektorati Shëndetësor, momentalisht ka vetëm 9 inspektorë, të cilët mund të bëjnë inspektime.

Ardita Baraku, kryeinspektore në Inspektoratin Shëndetësor thotë se ky është një numër shumë I vogël

Baraku thekson se në përgjithësi numri i shkeljeve ka qenë rreth 70, ku 34 kanë qenë mungesë licence të institucionit privat shëndetësor për të ushtruar veprimtari

Mungesa e licencës për veprimtari shëndetësore, ndëshkohet me gjobë nga 2 mijë euro deri në 8 mijë nga ana e Inspektoratit Shëndetësor, gjobat tjera varen nga lloji I shkeljeve.

Abortet të cilat kryhen në Kosovë në mënyrë të paligjshme, Besim Kodra nga Shoqata për të drejtat e pacientëve në Kosovës, po I lidh me mungesën e një sistemi të integruar të informimit.

Kodra thekson se duhet një inspektim më I madh I institucioneve private shëndetësore në mënyrë që mos të lejohen aborte të tilla, pasi sipas tij e rrezikojnë në masë të madhe sigurinë e pacientit

Një mënyrë tjetër që shkaktohet aborti është edhe përmes tabletave Misopostrol apo Citotek.

Përdorimi I saj është mund të sjell efekte të rënda te gratë të cilat e përdorin.

Sipas hulumtimeve në disa barnatore, ka disa farmacistë të cilët nuk kanë shitur pa recetë të mjekut.

Megjithatë, ndonëse pa recetë, diku mund të blihet fare lehtë.

Për këtë medikament, Lulaj thotë se është abuzuar shumë me të. Përdorimi i tyre mund të rrezikojë edhe jetën.

Ndërkohë, nga Inspektorati Farmaceutik është bere e ditur se nga inspektimet e kryera në disa barnatore kanë hasur në produkte ilegale ku ndër të tjera edhe produkti medicinal Citotek.

Inspektorati Farmaceutik për këtë ka marrë masa duke konfiskuar produktin, shqiptuar gjobat dhe konform legjislacionit në fuqi për masat tjera ka dërguar lëndën në AKPPM dhe organet tjera hetuese.

 

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë