Ish-komandanti i liruar nga akuzat në rastin e njohur “Grupi i Drenicës” kërkon kompensim dëmi nga KGJK

Pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit lirues nga akuzat për krime lufte kundër popullatës civile në rastin e njohur si “Grupi i Drenicës”, Avni Zabeli i ishte drejtuar Gjykatës Themelore në Mitrovicë me padi kundër Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Në seancën e së martës, ish-komandanti i Policisë së Mitrovicës, përveç kompensimit të dëmit material dhe jo material, ka kërkuar edhe 12 mijë euro kompensim të dëmit nga rroga mujore prej KGJK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Zabeli kishte kërkuar nga gjykata caktimin e një eksperti financiar për t`i llogaritur shpenzimet e vizitave familjare, shpenzimet e katinës gjatë kohës në paraburgim, dhe shpenzimet e tjera të transportit gjatë vizitave.
Përveç kësaj, ai ka kërkuar edhe kompensimin e dëmit jo material, ku sipas padisë, tek Zabeli ka ndikuar në uljen e autoritetit, integritetit personal dhe tek i njëjti ka shkaktuar dhimbje shpirtërore nga vendimet e pa drejta të organeve të drejtësisë.
Në sencën e së martës, po ashtu u lexua ekspertiza finaciare nga eksperti Dibran Jashari, sipas të cilës KGJK duhet t`ia kompensojë shumën në vlerë prej 650 euro për vizita të bëra nga familja e Zabelit në kohën e paraburgimit.
Krahas kësaj, Zabeli, ka kërkuar edhe dëmin në të ardhura personale që ka pësuar gjatë kohës në paraburgim në shumën prej 50% të rrogës se tij, te cilin e vërtetoj me dokumentin e lëshuar prej menaxhmentit të Policisë së Kosovës.
Për këtë pala mbrojtëse e paditësit kerkoj që seanca të shtyhet në mënyrë që të bëhet precizmi i padisë.
Seanca e ardhshme pritet të mbahet më 18 mars 2019, në ora 09:15.
Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 9 tetor 2017 kundër Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Avni Zabeli kërkon kompensimin e dëmit material dhe jo material për shkak të heqjes pa bazë nga liria e personave të dënuar ose arrestuar pa arsye.
Përmes padisë, paditësi kërkon që të aprovojë në tërësi kërkesëpadinë rreth dëmeve materiale dhe jomateriale që i kishte shkaktuar arrestimi dhë dënimi i pa arsyeshëm nga organet e drejtësisë në atë kohë EULEX, kinse i akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile. /Betimipërdrejtësi