Haradinaj: Për mua nuk ka veteranë të rrejshëm

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar sot një takim në Deçan me familjarë të dëshmorëve të kësaj komune. Atje, Haradinaj foli për fryrjen e listës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
I pari i qeverisë së vendit ka thënë se kjo është vetëm një zhurmë dhe se do të vijë dita që të gjithë do të kuptojnë se ka pasur të drejtë në deklaratat e tij, se nuk ka veteranë të rrejshëm.

“Për mua nuk ka veteranë të rrejshëm. Për mua të gjithë janë veteranë të gjithë kanë luftuar. Të gjithë janë angazhuar. Nuk e kuptoj pse u bë gjithë ajo zhurmë, por do të vijë dita që do të kuptojnë të gjithë se s’kanë pasur të drejtë. Unë e di që krejt populli i Dukagjinit janë kanë në këto vendbanime, i madh e i vogël. Cilido katund, ku kam shkuar, iu është dash me qëndruar aty… Unë e di që në Dukagjin janë dhjetëra-mijëra njerëz që janë kanë direkt në luftë”, tha Haradinaj.

Gjatë takimit me famijet e dëshmorëve, Haradinaj tha se vendi është në javën e përvjetorit të Pavarësisë, teksa bëhen 11 vjet që kur Kosova u bë shtet sovran dhe i pavarur.

“ Kjo javë ka rastisur që të fillojë në Deçan, një rastësi e cila është me meritë. Pra Deçani dhe kjo trevë e Dukagjinit, vërtet janë me meritë për lirinë e atdheut tonë, pavarësinë”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se e drejta e shqiptarëve është studiuar e trajtuar nga shumë mendimtarë e njohës të zhvillimeve, jo vetëm në Ballkan por edhe në botë.

Ndër tjerash, kryeministri Haradinaj tha se si populli më i vjetër në Ballkan, edhe historia e shqiptarëve është prej më të hershmëve dhe se vërteta e tyre është prej më të parave në Ballkan, dhe kësisoj gjithë rrugëtimin e shqiptarëve deri këtu, sot askush nuk e konteston.

“Në luftën e ’98 e ’99 të UÇK-së me ndihmën e NATO-s të prirë nga Amerika, e për të cilën ne jemi mirënjohës ndaj tyre, u realizua një pjesë e të drejtës shqiptare e cila kishte mbetur peng me mijëra vjet përpjekjesh, e që ajo ishte Kosova”, theksoi Haradinaj.

Për rastin e veteranëve të rremë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës vitin e kaluar ka ngritur aktakuzë kundër 12 personave.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë