Ish-drejtori i Urologjisë në QKUK dënohet me burg dhe gjobë për 100 euro ryshfet (Video)

Ish-drejtori i Urologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Rexhep Kasumaj, është dënuar me nëntë muaj burg për marrje të ryshfetit.
Në aktgjykimin e shpallur të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ai është dënuar edhe me dy mijë euro gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, ka deklaruar se 100 euro që kanë qenë pjesë e kryerjes së veprës penale, e të cilat janë sekuestruar do t’i kthehen palës së dëmtuar.
Ndryshe, Rexhep Kasumaj, e kishte pranuar fajësinë në seancën fillestare që ishte mbajtur më 4 shkurt të vitit 2019.
Ai kishte thënë se ndihet i penduar për këtë vepër penale.
Sipas aktakuzës së ngritur më 30 nëntor 2018, Rexhep Kasumaj, akuzohet se më 6 korrik 2018, rreth orës 10:30, si Drejtor i Repartit të Urologjisë në QKUK, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm ka kërkuar dhe ka pranuar 100 euro ryshfet nga i dëmtuari Bekim Hoti, mënyrë që nipi i tij F. H, të futej në listën e operimit në mënyrë të përshpejtuar.
Në aktakuzë theksohet se nën masat e simulimit të veprës penale të korrupsionit, i dëmtuari ka hyrë në repartin e Urologjisë dhe në zyrën e tani të pandehurit ia dorëzon paratë e kërkuara, ku më pas të njëjtat gjendën në xhepin e Kasumajt dhe konfiskohen nga hetuesi policor dhe menjëherë arrestohet. /BetimipërDrejtësi.