Drenicaku është asistent i kancelarit të Austrisë

Falë punës dhe kualifikimeve të tyre, shumë kosovarë kanë arritur të shënojnë suksese anembanë botës, duke u bërë edhe pjesë e shoqatave, universiteteve, e madje edhe e politikave në mbarë botën.
I tillë është edhe Arben Suhogerllaj nga Drenica, i cili tashmë punon në zyrën e kancelarit të Austrisë, Sebastian Kurz, përcjellë Indeksonline.
Arbeni sot ka vizituar zëvëndëskryeministrin e Kosovës, Enver Hoxhajn. Ky i fundit ka postuar një fotografi me Arbenin, ndërsa duke treguar për të arriturat e tij, Hoxhaj ka thënë se është krenar me diasporën kosovare që kanë arritur suksese në fusha dhe profesione të ndryshme.
“Një vizitë e këndshme sot në zyrën time nga Arben Suhogerllaj nga fshati Çubrel. Arbeni jeton në Austri dhe është asistent i besueshëm i kancelarit të Austrisë, Sebastian Kurz. Krenar me diasporën kosovare nëpër botë që kanë arritur suksese nëpër fusha dhe profesione të ndryshme”, ka shkruar Hoxhaj.