Jakup Krasniqi, opozita dhe pushteti!

DrenicaOnline
Sistemi politik në Kosovë tash e një kohë të gjatë është në mungesë të një figure politike konsistente në politikbërje, të marr vendime për vendin, e mbi të gjitha, të një figure politike mbi të cilën nuk rëndojnë akuza për skandale e keqqeverisje.
Mungesa e një programi të mirëfilltë politik në mesin e partive politike në vend që ofron zgjidhjen e duhur për problemet me të cilat qytetarët e vendit ballafaqohen tash e sa vite, edhe 11 vite pas shpalljes së pavarësisë i mungon ende vendit.
Mungesa e qëndrueshmërisë dhe gatishmërisë për të ecur proceset përpara, gatishmërisë për të punuar fort për vendin dhe për të luftuar proceset e dëmshme për shtetin është bërë mëse e zakonshme në mesin e pothuajse të gjithë përfaqësuesve politik në Kosovë, qoftë në pozitë dhe opozitë, në nivel qendror dhe lokal duke bërë që problemet sociale, ato të punësimit, arsimit e shëndetësisë të mos gjejnë zgjidhjen e duhur tash e sa vite. Kosova, ende mbetet ndër vendet më të varfra, me shkallë të lartë të papunësisë e ndër vendet më të izoluara në botë.
Një zë “opozitar” në skenën politike gjatë gjithë karrierës së tij në Kosovë tash e sa vite është Jakup Krasniqi. Konsistent në qëndrimin e tij, që nga fillet e karrierës atdhetare e më pas si zëdhënës politik i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe njëri i vendimeve të mëdha përgjatë karrierës së tij politike ndër vite.
Krasniqi, përgjatë këtyre viteve me veprimet atdhetare dhe politike ka dëshmuar se atdhedashuria është diçka që duhet të ushqehet në vazhdimësi, që bërja e shtetit nuk nënkupton të qenit në pushtet dhe gojëmbyllur përballë proceseve të dëmshme për vendin por duke qenë kundërshtues i vazhdueshëm i vendimeve që i shkojnë në dëm Kosovës.
“Për mendimet, idetë e shkrimet e mija, leje nuk marr as nga Toka e as nga Qielli. Janë të drejta që i kam fituar jo pa sakrifica, djersë e mund”.
Në fakt, është përkufizimi më i saktë për Krasnqin i cili pas asnjë rezervë të vetme, është përherë i hapur ta thotë troç atë që e mendon.
Pavarësisht faktit se NISMA Socialdemokrate, kryetari i këshillit të së cilës është Krasniqi bashkëqeveris në pushtet, në qëndrimet e tij disa herë kemi parë duke kundërshtuar procese e vendime të shumta që ndërmarra nga pushteti aktual.
Njëjtë Krasniqi kishte vepruar edhe sa ishte pjesë e qeverive të kaluara e ku partia e tij ishte pjesë e ekzekutivit.
Kjo dëshmon më së miri modelin e një politikani, që në parim dhe në esencë ka për qëllim interesin vital të shtetit, drejtësi për qytetarët.
Këto ditë kur në fokus të zhvillimeve është vendosja e taksës 100% për produktet serbe dhe paralelisht me një presion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për heqje të taksës, Krasniqi ka qenë ndër mbrojtësit më të mëdhenj të këtij vendimi, duke thënë madje se Kosova është vonuar për të vendosur këtë taksë.
Në kohën kur mbi shumë figura të rëndësishme politike në vend rëndojnë akuza për korrupsion e dallavere, Krasniqi asnjëherë të vetme nuk është dyshuar për ndonjë veprim të ndërlidhur me korrupsion.
Në të gjitha përgjegjësitë politike e publike, ka dëshmuar se puna me nderë dhe në shërbim të vendit mund dhe duhet të bëhet.
Prandaj, me të drejtë, Jakup Krasniqi është ndër fytyrat më eminente dhe politikan që duhet marrë shembull dhe ndjekur modeli i tij i të bërit politikë dhe përkushtimin për atdheun për të cilin kontribuoi me vite të tëra. Jo vetëm para dhe gjatë luftës, por edhe më shumë se 20 vite pas përfundimit të saj, Krasniqi ka ruajtur vlerat e atdhedashurisë dhe përkushtimin për vendin, duke u shndërruar me të drejtë në politikan shembull e të devotshëm.