Hetuesit po kërkojnë gjurmë të katër grabitësve të bankës në veturën me të cilën u arratisën

Ekipet e policisë dhe forenzikës janë duke mbledhur gjurmët me të cilat katër të dyshuarit për grabitjen e një banke në dalje të Prishtinës, kanë mundur t’i lenë në veturën me të cilën u larguan nga vendi i ngjarjes.
Vetura në fjalë, e tipit “Ford” u gjet nga Policia e Kosovës, në fshatin Uglare të Gracanicës, gati dy orë pas grabitjes së armatosur që ndodhi në filialin e një banke në Çagllavicë.
Deri më tani Policia ka konfirmuar se katër persona të dyshuar kanë kryer plaçkitjen me armë të Bankës TEB, e cila ndodhi sot rreth orës 15:00, raporton Gazeta Express.
Grabitja e armatosur pati si pasojë vjedhjen e thasëve më para gjatë kohës kur sigurimi i bankës po i fuste në objektin ku ndodhi rasti.





