Mbrojtja kundërshton aktakuzën ndaj Adem Grabovcit, Besim Beqajt dhe të tjerëve në rastin “Pronto”

Mbrojtja e të akuzuarve Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, e ka kundërshtuar aktakuzën.
Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, mbrojtësit e të akuzuarve kanë deklaruar se kundërshtimet ndaj aktakuzës i kanë paraqitur me shkrim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Avokati Florent Latifaj, që mbron Adem Grabovcin, ka thënë se qendrojnë pranë kërkesës për hudhjen e aktakuzës dhe kundershtimin e provave dhe se nuk ka çka të shtojë më tepër.
Mbrojtësi i Besim Beqajt, avokati Besnik Berisha, ka thënë se nuk deklarohet për kundërshtime pa i dëgjuar përgjigjen e Prokurorisë se Shtetit në lidhje me këto kundërshtime.
Edhe mbrojtësi i Njazi Kryeziut, avokati Kujtim Kërveshi, ka thënë se rezervon ta eleborojë kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet e tij, pa dhënë përgjigje Prokuroria Speciale.
Avokati i Zenun Pajazitit ka thënë se brenda afatit ligjor kanë parashtruar kundërshtimin dhe kërkesën për hudhjen e aktakuzës, duke thënë se provat e paraqitura nga organi i akuzës janë thellësisht të papranueshme.
Edhe mbrojtësit e të gjithë të akuzuarve tjerë, kanë thënë se brenda afatit ligjor kanë paraqitur kundërshtimet e tyre ndaj aktakuzës, duke mohuar përfshirjen e klientëve të tyre në veprat penale me të cilat ngarkohen.
Ata kanë thënë se ngritja e një aktakuze të tillë, është bërë kryesisht nga presioni publik, sesa që ka të bëjë me veprimet inkriminuese të të akuzuarve.
Prokurorja speciale Drita Hajdari, ka thënë se kjo çështje trajton një fenomen të ndarjes së posteve mbi baza politike dhe personale.
“Këtu u dëgjua nga një avokat se aktakuza është ngrit nën presion të mediave, çka nuk është e vërtetë. Është e vërtetë se prokuroria ka iniciuar hetimin në bazë të asaj çka ka dëgjuar në media dhe ky është një obligim i prokurorisë dhe nuk është hera e parë e as hera e fundit që prokuroria të fillojë një hetim në bazë të informimit nga media. Meqenëse e kemi publikun këtu dhe u dëgjuan keqinterpretimi i aktakuzë sime në pjesën ku përmenden mediat për hir të vërtetës do ta citoj një paragraf nga akuza ku thuhet; rasti konkret shkaktoj shqetësim dhe interes të madh publik për shkak se për herë të parë në Republikën e Kosovës janë zbuluar dhe publikuar veprimet dhe metodat e punësimit të disa individëve nga grupe të ngushta të interesit, mirëpo me analizën e kundërshtimeve të paraqitura rezulton se aktakuza e prokurorisë kryesisht sulmohet për shkak të aplikimit të masave të fshehta dhe përdorimit të rezultatit të masave të fshehta nga një rast tjetër penal i quajtur si “Rasti i MTPT”, ku në hetim ishte Adem Grabovci”, ka thënë prokurorja.
Ajo ka thënë se ka keqinterpretime të thuhet se këto prova janë nga një procedurë tjetër penale.
“E kam përgatit një aktvendim të Gjykatës së Apelit, i cili ka marrë një qëndrim tejet të kundërt dhe thotë se pavarësisht se personat e tjerë nuk ishin nën përgjim këto prova të siguruar ndaj një të pandehurit ndaj të cilit janë aplikuar masat e fshehta mund të përdoren. Po ashtu do doja t’ju njoftoja se këto biseda inkriminuese të cilat prokuroria i ka marrë si provë një nga provat për ngritjen e aktakuzës nuk kanë qenë të njohura nga prokurori i EULEX, në rastin e të pandehurit Grabovci”, ka thënë prokurorja Hajdari.
Sipas prokurores Hajdari, ata që i posedojnë transkriptimet e këtyre përgjimeve mund të shihnin se përgjimet në çështjen penale të MTPT-së ishin mbi bazën e çështjes penale, e cila sipas saj, ishte hetuar në atë kohë.
“Të gjitha këto masa të fshehta janë aplikuar me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake andaj janë të ligjshme. Në një situate të tillë më të dëgjuar në media për ekzistimin e bisedave tjera që i shërbyen prokurorisë një informate për të filluar procedurën, unë si prokurore e çështjes kam siguruar që këto biseda të paraqitura në këtë aktakuzë, të transkriptohen për herë të parë nga Policia e Kosovës, dhe më të pranuar këto transkriptime dhe duke siguruar edhe prova të tjera materiale prokuroria ka ardhur në përfundim që nën veprimet e të pandehurve ekzistojnë veprat penale si në aktakuzë”, ka thënë prokurorja Hajdari.
“Pothuajse se të gjithë avokatët janë thirr se këto prova është dashtë mi shkatërru, askund nuk shkrun se këto prova nuk do përdoren edhe pse nuk janë shkatërruar, prokuroria nuk ka mund ti mbyllë sytë nga këto prova, Grabovci edhe atë kohë ka pasur avokat për të përcjellë çështjen e përgjimeve. Me këtë rast ju dorëzoj aktvendimin e Gjykatës se Apelit lidhur me aplikimin e masave te fshehta”, ka shtuar Hajdari.
Pasi avokati Latifaj ka kërkuar fjalën pas përgjigjes së prokurores, dhe pasi kryetari i trupit gjykues ia ka dhënë fjalën, prokurorja Hajdari ka kundërshtuar pasi sipas saj, me asnjë dispozitë ligjore nuk lejohet zhvillimi i debatit.
“Prokurorja tha se këto prova nuk janë asgjësuar që d.m.th “ja qe na e kemi shkelur ligjin”, për çdo jurist çdo dokument ka aktvendim për fillim të hetimeve apo aktakuzë, së pari atakohet në kuptimin formal, për këtë bazë e kemi atakuar se është e kundërligjshme. Provat që i përmendi prokuroria për një aktvendim të Apelit, sa unë e kam majt n’mend tha se përgjimet vlejnë edhe për personat që nuk kanë qenë nën hetim. Ai prokuror i cili ka dëgjuar këto përgjime ka ardhur në përfundim se ndaj të mbrojturit tim nuk mund të vazhdohet më tutje procedura penale, se nuk ka element të veprës penale dhe i ka pushuar hetime. Por pas sa viteve vjen një prokuror tjetër dhe thotë se ai prokuror e ka pasur gabim dhe se më këto prova do të fillojë një hetim tjetre, kështu nuk shkrun me asnjë ligj sepse ligji e ndalon atë”, ka thënë Latifaj.
Lidhur me përgjigjen e prokurores Hajdari për kërkesat e mbrojtjes, pati kundërshtime edhe nga ana e avokatit Besnik Berisha, mbrojtës i të akuzuarit Besim Beqaj.
“Aktakuza nuk referohet në asnjë norma ligjore dhe për me tepër nuk saktëson asnjë veprim të Beqajt në kuadër të pozitës së tij zyrtare si ministër i asaj kohe. Sigurisht prokuroria nuk përgjigjet në këtë pretendim sepse e din se i vetmi person që ka mund të ushtrojë pozitën e krye shefit të Telekomit ka qenë Nuredin Krasniqi i cili sa herë qe ka pasur tërheqje apo përfundim mandati është i vetmi person qe plotëson kushtet ligjore që nuk konflikt të interesit pikërisht personi që i lakohet emri në këtë aktakuzë”, ka thënë Berisha.
Sipas tij, prokuroria nuk kishte proceduar si palë të dëmtuar asnjë qytetar për të cilin pretendohet se i ishte shkelë e drejta me rastin e përzgjedhjes së tij në një pozitë të caktuar për të cilin sipas Berishës, kompetent ishte Qeveria e Kosovës.
“Prokuroria për Beqajn nuk paraqiti asnjë person të vetëm që është përzgjedhur në bazë të ndonjë përkatësie politike. Si mund ta konsiderojmë se kjo aktakuzë qenka objektive, qenka e bazuar në ligj dhe prova e nuk qenka e bazuar sipas presionit publik. Jam i bindur se asnjëherë një gjykatë e drejtë dhe e pavarur nuk do pranojë ndonjë veprim inkriminues për Beqajn, si juriste e keni për detyrim të kundërshtojmë çfarëdo prove e cila është marrë me shkelje të te drejta e kushtetuese të çdo qytetari të Republikës së Kosovës”, tha Berisha.
“A ishte prokurori i EULEX-it më pak profesionit dhe më pak i ndikuar në atë kohë që paska konsideruar se me asnjë nga përgjimet e ekzaminuar nga ata dhe” ushtria”, e tij nuk paska elemente të veprës penale, apo qenka kjo prokuroria jonë më pak e ndikuar dhe më profesioniste”, ka thënë ndër të tjerash avokati Berisha.
Prokurorja Hajdari i kundërshtoi thëniet e avokatit Berisha “a muj me ditë çka o kjo, unë nuk du ma me dëgju, kjo është fjala hyrëse nuk është përgjigje në kundërshtime, unë kam për detyrë me mbrojt dinjitetin”.
Mirëpo, avokati Berisha vazhdoi fjalën e tij, duke kundërshtuar kualifikimin juridik të veprës penale, pasi sipas tij, nuk thuhet se i mbrojturi i tij ia kishte shkelur ndonjë qytetari të drejtat.
“Këtë aktakuzë nuk mundësh me qujt ndryshe vec me la ftyrën. Prokuroria duket që mungesën e provave, mungesën e argumenteve u mundu ta justifikojë përball opinionit duke filluar nga sulmet drejt gjykatës, drejt të akuzuarve duke u marrë se e pasa paragjykuar gjykata vendimin, se të akuzuarit po vijnë të buzëqeshur. Ne jemi dëshmitar se çdo ditë kësaj prokurorie i hudhen aktakuza e asnjëherë nuk e ka sulmuar gjykatën përveç ne këtë rast”, ka thënë Berisha.
Këto pretendime të Berishës i ka kundërshtuar gjykatësi Hoti, i cili ia tërhoqi vërejtjen Berishës se nuk ishte kompetencë e tij t’i trajtonte këto çështje dhe se as nuk kishte bazë ligjore.
Por, lidhur me përgjigjen e prokurores Hajdari pati kundërshtime edhe nga avokati Emrush Kastrati, mbrojtës i të akuzuarit Fatmir Shurdhaj.
Sipas tij, lidhur me asgjësimin e provave në një çështje penale ishte dashur të zbatohej neni i KPRK-së, ngase sipas tij, hetimi ishte zhvilluar për një person tjetër dhe nuk ishin gjetur veprime inkriminuese.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Hoti njoftoi të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre se brenda afatit ligjor do të vendos lidhur me kërkesat për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.
Në seancën fillestare të mbajtur më 15 nëntor 2018, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.
Ndryshe, në mesin e 11 të akuzuarve janë, ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ministri aktual i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, deputeti aktual i PDK-së, Zenun Pajaziti, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, ish-zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltari politik në MPB, Sedat Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi.
Të akuzuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.
Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.
Ky rast ishte publikuar nga mediat publike, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës.
Kjo vepër për të cilën akuzohen këta zyrtarë dhe ish-zyrtarë, sipas nenit 193, paragrafit 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, është e dënueshme prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim. Protagonisti kryesor i asaj që është quajtur si “Afera Pronto”, ka qenë ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabvoci.
Në vitin 2011, për herë të parë ishin publikuar në media bisedat nga disa përgjime të EULEX-it, e ku Grabovci dëgjohej duke biseduar ndër të tjerash edhe me presidentin aktual Hashim Thaçin, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe persona të tjerë të politikës, kryesisht të PDK-së.
Grabovci në atë kohë ishte duke u hetuar nga ana e EULEX-it për vepra korruptive në cilësinë e zëvendësministrit të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, mirëpo këto hetime ndaj tij ishin mbyllur në mungesë të provave.
Në këto përgjime që përfshijnë një periudhë prej dy muajve, nëntor – dhjetor 2011, Grabovci dhe bashkëbiseduesit e tij, mes të cilëve edhe ministri aktual Besim Beqaj, deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti dhe disa persona tjerë, dëgjohen duke diskuar punësimet e personave të afërt me PDK-në në institucione të ndryshme si anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura./Betimipërdrejtësi