Halitaj: Grevat janë për interesa kolektive, jo partiake

Njohësi i çështjeve politike Agron Halitaj, për Gazetën inFokus, tha se koha po e dëshmon se grevat janë organizuar mbi bazën e interesave personale e kolektive, e jo partiake.

Përndryshe, sipas Halitajt, nuk ka se si shpjegohet fakti që grevës në arsim i janë përgjigjur të gjitha institucionet arsimore në vend, përfshirë edhe ato që ekzistojnë në komunat që udhëhiqen nga partia e vet kryeministrit.

“Njëjtë është gjendja edhe në shëndetësi. Kirurgët mund të jenë anëtarë apo simpatizantë të partive të ndryshme, por bashkërisht kanë një kauzë- rritjen e mirëqenies dhe trajtimin adekuat nga shteti. Dhe, sa më shumë që zgjasin grevat në sektorë të caktuar, ato krijojnë efekt psikologjik edhe të masat e tjera punëtore. Kjo edhe po ndodhë tani në vendin tonë”, tha Halitaj.

Halitaj, më tej, shtoi se gradualisht grevës iu bashkuan shërbyesit civil, për sa kohë që paralajmërimet janë dhënë edhe nga punonjësit në sektorë të tjerë.

“S’ka asnjë dyshim se partitë politike përpiqen të shfrytëzojnë këtë gjendje, qoftë për të goditur kundërshtarët, qoftë për të përfituar poenë politik nga votuesit potencial. Por mbi të gjitha, grevat kanë nxjerrë në pah realitetin e hidhur se Kosova, pos që ka një pushtet të keq, e ka komplet një klasë politike të keqe”, theksoi ai.

Halitaj, shtoi se vetëm në gjendje të jashtëzakonshme do të ndërpritej shkolla, e nuk do të kryheshin shërbimet e nevojshme shëndetësore.

“Pavarësisht kësaj, asnjë grup deputetësh deri më sot nuk e ka parë të udhës që të thërras seancë të jashtëzakonshme për të kërkuar dalje nga situata”, tha ai.

Ai, tha se të gjithë merren me statuse në rrjete sociale, thuajse ashtu i kontribuojnë zgjidhjes së problemit. E gjithë kjo mund të konceptohet si mjerim politik dhe institucional në Kosovë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë