Kërkohet ndalimi i transmetimit të këngëve ku përmendet droga, Lyrical Son ka disa fjalë për deputetët.
Gjatë ditës së djeshme është prezantuar një propozim në Komisionin e Shëndetësisë që të ndalohen së transmetuari në televizione këngë që “përçojnë mesazhe negative tek të rinjtë”.
Deputeti i LDK, Haxhi Avdyli ka propozuar që të ndalohet transmetimi i këngëve ku përdoren fjalët si “marihuana, kokaina, kolombiana e heroina”.
“Duke parë e dëgjuar promovimin e drogave në TV tonat në këngët, sot në komision për shëndetësi, për vitin 2019 propozova iniciativë ligjore, e masa tjera për ndalimin e promovimit të drogave në TV e gjetiu përmes këngëve e spoteve me droga. Për rini të shëndoshë, kundër promovimit të narkotikëve mora përkrahje nga të gjithë deputetët”, ka thënë Avdyli.
Me këtë rast, shumë artistë kanë reaguar për këtë vendim, duke thënë se ndalimi total për transmetim të këtyre këngëve është kthim mbrapa në kohë.
Në prononcim për Gazetën Express, reperi i labelit PINT, Festim Arifi i njohur si Lyrical Son, ka reaguar ndaj deputetit duke u shprehur mjaft i mllefosur.
Festimi thotë se, sa i përket censurimit “fjalët normal që duhet të censurohen dhe të mos emitohen në kohë të papërshtatshme në televizion këngë me tekste dhe pamje eksplicite, por të kenë një orar të përshtatshëm kur duhet të shfaqen”.
Mirëpo, i dëshpëruar nga politikanët dhe në përgjithësi politika në Kosovë, Festimi i mllefosur thotë se nëse deputeti në fjalë kërkon ndalimin total të emetimit të këtyre këngëve në televizione, atëherë “ai mund të kthehet në kohën e komunizmit se këta politikanë të sotëm që shajnë komunistët, janë komunistë në praktikë e në teori janë ‘demokratë’”.
“Nëse ai ka thënë se duhet me u ndalu transmetimi i këtyre këngëve, atëherë duhet me u mshel edhe parlamenti, edhe ju si parti duhet me u mshel, se ju vetë si njerëz jeni eksplicit. Çka i keni bo këtij vendi, ju duhet me u censuru e jo muzika, juve duhet me ja u marrë të drejtën e shprehjes, jo këngëtarëve, se këngëtarët po pagujnë taksa, ju s’po paguni”, ka thënë Festimi për Gazetën Express.