Drenas: Dënohet me 500 euro gjobë i akuzuari për armëmbajtje pa leje

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, në seancën e shqyrtimit fillestar e ka dënuar me 500 euro gjobë, të akuzuarin për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, Bekim Karpuzi.
Ai gjithashtu u ngarkua me taksën për kompensimin e viktimave të krimit, në shumë prej 30 euro, si dhe paushallin gjyqësor në shumë prej 30 euro.
Aktgjykimi është shpallur nga gjykatësi Shefqet Baleci, pasi që i akuzuari paraprakisht pranoi fajësinë lidhur me veprën me të cilën ngarkohej, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar as prokurori Dren Paca, duke propozuar që ky akt të merret si rrethanë lehtësuese me rastin e shqiptimit të dënimit.
Me rastin e shpalljes së aktgjykimit, gjykatësi ka thënë se ka marr parasysh pranimin e fajësisë, kërkim faljen, pendimin dhe premtimin që nuk do të kryej vepër penale.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 19 dhjetor 2018, ka ngritur aktakuzë kundër Bekim Karpuzi, të cilin e ngarkon se më 9 nëntor 2018, rreth orës 23:55, në fshatin Llapushnik, Komuna e Drenasit, te i pandehuri është gjetur në posedim një armë zjarri pistoletë “Zastava”, një karikator dhe tre fishekë pa mbishkrim.
Sipas aktakuzës, i pandehuri këto i ka poseduar pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët.
Me këtë ngarkohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.