Drenas: Deklarohen të pafajshëm të akuzuarit për posedim të narkotikëve, për njërin veçohet procedura

Në seancën fillestare, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, të akuzuarit për vepër penale “posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, Albion Bardiqi, Endrit Emini, Gazmend Salihu, Rajmond Kurtaj dhe Vaxhid Elshani, janë deklaruar të pafajshëm.

Të akuzuarit, kanë mohuar fajësinë për veprën penale për të cilën ngarkohen, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi njoftoi të akuzuarit se brenda afatit ligjor, para shqyrtimit të dytë gjyqësor, mund të paraqesin kërkesë për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

E pranishme në seancë ka qenë prokurorja Nebahate Salihu.

Ndryshe, në seancë ka munguar njëri nga të akuzuarit Liridon Obrija, për të cilin më 10 nëntor 2018, Gjykata ka lëshuar urdhëresë Stacionit Policor në Drenas, për sjelljen e tij me forcë, mirëpo kjo urdhëresë nuk është zbatuar dhe policia nuk ka njoftuar gjykatën zyrtarisht lidhur me mos zbatimin e kësaj urdhërese.

Më pajtimin e palëve, gjykatësi i çështjes Shefqet Baleci, mori aktvendim të veçohet procedura ndaj Liridon Obija deri në shqyrtimin përfundimtar, për arsye të efikasitetit të procedurës dhe mos shkaktimin e shpenzimeve procedurale.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 13 shtator 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Albion Bardiqi, Endrit Emin, Gazmend Salihu, Liridon Obria, Rajmond Kurtaj dhe Vaxhid Elshani, nën dyshimin se të njëjtit më 30 nëntor 2017, rreth orës 21:20, në Qendrën Tregtare në Drenas, konkretisht në lokalin e bilardos “Dorisi”, të pandehurit në bashkëkryerje kanë poseduar substancë narkotike.

Sipas aktakuzës, me rastin e kontrollimit nga ana e policisë, deri sa të pandehurit kanë qenë duke luajtur bilardo në tavolinë, konkretisht në pjesën anësore të tavolinës policia ka gjetur 4 (katër) qese të vogla të mbushura më bari me ngjyrë të gjelbër, e dyshuar për substancë narkotike e llojit marihuanë me peshë prej 5 gramë, të cilën e ka konfiskuar.

Me këtë akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “posedim i paautorizuar i narkotikëve , substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 275 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 dhe lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë