Dënohet me tre muaj burgim me kusht i akuzuari për uzurpimin e banesës në Drenas

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, e ka dënuar me tre muaj burgim me kusht, të akuzuarin për uzurpim të pronës së paluajtshme, Elmi Gurguri.

Por, dënimi me kusht nuk do të ekzekutohet, nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur në seancën fillestare, të mbajtur të hënën, pasi paraprakisht i akuzuari e ka pranuar fajësinë lidhur me akuzën që ngarkohet, raporton ”Betimi për Drejtësi”.

“Është e vërtetë që kam uzurpuar banesën, mirëpo të njëjtën e kam liruar qe 10 vite”, ka deklaruar i akuzuari, i cili ka kërkuar që t’i shqiptohet një dënim sa më i butë, për faktin se banesën e ka shfrytëzuar për shkak të kushteve të rënda ekonomike dhe atë njëjtën e ka liruar më pas.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurori Dren Paca, i cili propozoi që të merret si rrethanë lehtësuese pranimi i fajësisë, sjellja korrekte në gjykatë, sinqeriteti dhe fakti që i njëjti e ka liruar pronën e uzurpuar.

Me rastin e shpalljes së aktgjykimit gjykatësi Shefqet Baleci, tha se ka marrë parasysh rrethanat lehtësuese si pranimi i fajësisë, kërkim falja, se është mbajtës i familjes si dhe faktin që banesën e ka shfrytëzuar për shkak të kushteve të vështira ekonomike, por të njëjtën e ka liruar.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 4 prill 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Elmi Gurguri, të cilin e ngarkonte se nga 12 shkurt 2014, në vazhdimësi shfrytëzon dhe mban në uzurpim në mënyrë të kundërligjshëm pronën e paluajtshëm të personit tjetër, banesën e cila gjendet në Drenas, Blloku V, kati II, me sipërfaqe prej 90 m2, e cila ishte pronë e Dragan Kushenin, me ç’rast të dëmtuarit i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm material.

Me këtë, ai akuzohej se ka kryer vepër penale “uzurpim i pronës së paluajtshme”, nga neni 332 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë