Populli ka zgjedhur heshtjen në vend të veprimit

As mungesa e energjisë elektrike, as mosliberalizimi i vizave, as rritja e çmimeve nuk mund të shtyjë qytetarët të dalin në rrugë dhe të ngritin zërin për zgjidhen e këtyre problemeve.

Protesta është mjet demokratik , por populli ynë ka zgjedhur heshtjen në vend të veprimit.

Kështu thotë, Xhavit Drenori nga Shoqëria Civile kur pyetet se cilat janë arsyet për të cilat duhet të protestojnë qytetarët e Kosovës.
Ai për Arbresh.info, tha një varg arsyesh që duhet protestuar duke nisur nga aferat korruptive, shtrenjtimi i rrymës e politika, që e kanë sjellë në situatë të pashpresë qytetarin.

“Protesta është mjet demokratik. Janë të shumta arsyet që qytetarët e Kosovës kanë për të përdorur “armën” demokratike, pra protestën. Çështja e parë dhe më e rëndësishmja pa dyshim që është pa barazia në drejtësi. Kërkesa më elementare e një qytetari në shtet është trajtimi i barabartë nga institucionet e tij”, u shpreh Drenori.

Tutje ish kandidati për të parin e Drenasit tha se sikur Gjyqësori të kryente punën, qytetarët do kishin një instancë ku do të drejtoheshin.

“Në fakt, gjyqësori është “Kali i Trojës” për qytetarët e Republikës së Kosovës. Sikur gjyqësori të kryente punën e vetë në mënyrë të drejtë dhe të pavarur, qytetarët do kishin një instancë të fundit për të kërkuar drejtësi. E kam fjalën që rastet korruptive dhe pa drejtësitë të çfarëdo natyre, qytetarët do t’i adresonin në prokurori dhe gjykata dhe me këtë rrjedhimisht do të rriste efikasitetin, transparencën dhe para se gjithash llogaridhënien në secilin veprim dhe cent të shpenzuar të secilit institucion shtetëror. Sot, po pate relacione me politikën, apo të jesh i pasur, gjyqësorin e ke në “dorë”. Kjo gjendje e ka sjellë qytetarin në një situatë të pa shpresë”.

Drenori përmendi edhe faturimin në xhepin e shqiptarëve të energjisë elektrike që shpenzohet nga serbët në veri, mos liberalizimin e vizave tash e sa vite si arsye për protestë, por që populli ka zgjedhur heshtjen.

“Shtrenjtimin i rrymës elektrike, faturimi i shpenzimeve të rrymës për qytetarët e Mitrovicës së Veriut, në kushte normale do duhej të çonte direkt në burg ndonjërin nga përgjegjësit. Edhe kjo do ishte arsye tjetër për protestë. Mashtrimi me mos liberalizimin e vizave, të cilat në mënyrë të vazhdueshme tash e një dekadë jemi mashtruar nga përgjegjësit qeveritar, do ishte arsye tjetër për protestë, e cila do të impononte të paktën shkarkim ose dorëheqje të personave përgjegjës në Ministritë përkatëse. Por jo, populli ynë ka zgjedhur heshtjen në vend të veprimit, dhe sa do të zgjasë kjo gjendje, nuk e kam idenë”, përfundoi ai.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë