Drenas: I akuzuari mohon se tentoi vjedhjen e naftës nga rezervarët në një punishte

I akuzuari për vjedhje të rëndë në tentativë, Ardios Hoxha, ka mohuar se ai kishte tentuar vjedhjen e naftës nga rezervarët e një punishteje.
Në seancën e shqyrtimit të dytë, të mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega Drenas, i akuzuari ka mohuar fajësinë për veprën penale me të cilën akuzohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Nuk me kujtohet ky rast, nuk e kam kryer këtë vepër”, ka thënë i akuzuari Hoxha.
Prokurorja e rastit, Nebahate Salihu, ka deklaruar se qëndron pranë aktakuzës, duke kundërshtuar pretendimet e të akuzuarit për mos pranim të fajësisë.
Ajo ka deklaruar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i akuzuari ka kryer veprën penale, duke thënë se një gjë e tillë është e mbështetur në provat që gjenden në shkresat e lëndës.
Seanca e shqyrtimit gjyqësor është caktuar më 1 shkurt 2019, në ora 11:00.
Gjykatësi i rastit Shefqet Baleci, mori aktvendim që në seancën e radhës të ftohen i dëmtuari Ilmi Karagja dhe Mërgim Hoxha, në cilësinë e dëshmitarit.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 21 janar 2016, ka ngarkuar Ardios Hoxha, me veprën penale “vjedhje e rëndë në tentativë”, sepse më 26 prill 2015, rreth orës 04:30, në fshatin Korreticë e Epërme, Komuna e Drenasit, me qëllim të përvetësimit të sendeve të luajtshme vetit t’i sjell përfitim pasuror në mënyrë të kundërligjshme, ka tentuar që të marrë pasurin e huaj, në atë mënyrë që në bashkëveprim me personin NN, të maskuar, kanë depërtuar në punishten e gurëthyesit “Trasing”.
Sipas aktakuzës Hoxha dhe NN me përdorimin e forcës përmes një mjeti nga metali, kanë hapur kapakun e rezervarit të mbushur me derivate dhe kanë arritur qe ta mbushin një bidon me naftë dhe gjatë përpjekjes për ta mbushur të dytin, janë vërejtur nga sigurimi dhe në pamundësi për t’i marr bidonët me naftë kanë arritur të ikin nga vendi i ngjarjes.
Me këtë akuzohet se ka kryet veprën penale “vjedhje e rëndë në tentativë” nga neni 327 parag.1 pika1 lidhur me nenin 28 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.