Ministri Lekaj nënshkroi marrëveshjen për shërbime ajrore të aviacionit civil në Katar


Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka nënshkruar në Doha marrëveshjen e Shërbimeve Ajrore të Aviacionit Civil, me homologun e tij nga shteti i Katarit Sh.T. Jassim Bin Saif Al-Sulaiti.

Sipas tij kjo marrëveshje hap rrugën për fluturimet direkte të “Qatar Airways” midis ANP “Adem Jashari” dhe “Aeroportit Ndërkombëtar të Dohas”. “Qatar Airways” tash e disa vite është zgjedhur kompania më e mirë në botë, transmeton Drenica Online.

Lekaj po ashtu njoftoi homologun e tij për zhvillimet infrastrukturore në transportin ajror, rrugor dhe atë hekurudhor si dhe për projektet strategjike në të ardhmen. Ministri Al-Sulaiti shprehu gatishmërinë e shtetit të Katarit për përkrahjen e Republikës së Kosovës në këtë drejtim.

Tutje, Lekaj gjithashtu kërkoi përkrahje në shkollimin e pilotëve nga Kosova dhe stafit tjetër deficitar të aviacionit në “Kolegjin Aeronautik të Katarit”, i cili ka famë botërore. Kërkesa e Ministrit Lekaj mori mbështetje të plotë nga homologu i tij, i cili u zotua që studentët e përzgjedhur nga Kosova për pilotë dhe profesione tjera në fushën e aviacionit, do të shkollohen në këtë kolegj me bursë të plotë nga Shteti i Katarit. Për këtë qëllim, së shpejti do të nënshkruhet një marrëveshje veçantë midis ministrave.

Ministrat gjithashtu u dakorduan që menaxhmenti i “Qatar Airways” të vijë së shpejti në Prishtinë për të bërë një studim fizibiliteti me qëllim të fillimit të fluturimeve të drejtpërdrejta midis Dohas dhe Prishtinës,transmton Drenica Online.

Në fund, ministri Lekaj e ftoi homologun e vet nga Katari për një vizitë pune, e cila u pranua me kënaqësi që të realizohet së afërmi.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë