Hoxhaj: Konventat e rinisë së PDK’së mblodhën 23 mijë të rinj

Partia Demokratike e Kosovës ka nisur procesin e zgjedhjeve të brendshme të partisë, duke mbajtur kuvendet zgjedhore të të rinjve në të gjitha komunat e Kosovës.

Zëvendëskryetari i PDK’së, Enver Hoxhaj në një postim në Facebook, ka folur për këtë proces dhe rolin e të rinjve në dekadën e re të shtetësisë së Kosovës.

Tha se të rinjtë duhet të marrin përgjegjësi dhe të krijojnë mundësi të reja për veten dhe për shtetin. Hoxhaj shtoi se kjo është arsyeja pse në PDK i kanë dhënë kohë dhe hapësirë të veçantë procesit të zgjedhjeve të rinisë.

“Dekada e re nënkupton përmbyllje të shtetësisë së Kosovës, bërje e një shoqërie të drejtë dhe të fortë, ekonomi të zhvilluar dhe krijim të vendeve të reja të punës , arsim cilësor dhe shëndetësi efikase, e mbi të gjitha cilësi më e mirë e jetës. Rinia duhet të marrë përgjegjësi dhe të krijojë mundësi të reja për veten dhe për Kosovën. Prandaj, Partia Demokratike e Kosovës i ka kushtuar kohë dhe rëndësi të veçantë procesit zgjedhor të Rinisë Demokratike, ku kanë marrë pjesë mbi 23 mijë të rinj në mbarë Kosovën”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

Konventa qendrore zgjedhore e të rinjve të PDK’së, është paralajmëruar të mbahet më 7 dhe 8 korrik në Prishtinë.

“Edhe në përmbylljen e Kuvendit të 34 Zgjedhor të Rinisë Demokratike, në Ferizaj, të rinjtë shfaqën entuziazëm dhe vendosmëri për të përfaqësuar ndryshimin në PDK dhe në Kosovë dhe një gjë e tillë vërehet edhe në përgatitjet e Konventës Qendrore të Rinisë Demokratike të Kosovës më 7 dhe 8 korrik në Prishtinë. Pikërisht ajo që i duhet shtetit tonë në #DekadaeRe”, përfundoi Hoxhaj postimin e tij.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë