Komuna e Drenasit raporton para qytetarëve për punën gjashtëmujore

Nënkryetari i Komunës së Drenasit, Gani Sylaj ka mbajtur tubimin me publikun, ku ka raportuar para qytetarëve për punën gjashtëmujore të këtij viti fiskal. Në tubim merrnin pjesë, drejtorë të drejtorive komunale, kryetar (administrator) të fshatrave, përfaqësues të lagjeve dhe qytetarë tjerë.
Në tubimin me publikun është diskutuar për aktivitetet e Komunës të kryera për gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Takimin e ka hapur zëdhënësi i Komunës, Bekim Dobra, i cili ka treguar rëndësinë e këtij tubimi me publikun dhe ka treguar se njoftimi është bërë me kohë sipas Ligjit.
Ndërsa Nënkryetari Sylaj në fjalimin e tij përshëndetës ka falënderuar të pranishmit duke kërkuar edhe më tutje bashkëpunim me administrator të fshatrave dhe me qytetarë për të gjitha projektet e realizuara dhe ato që do të realizohen sepse është në interesin e tyre që punimet të shkojnë sipas paramasave dhe parallogarive të kontraktuara.
Punën një vjeçare e ka prezantuar Drejtori i Urbanizmit, Idriz Hysenaj ku ka folur për të gjitha projektet e realizuara gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti si dhe për planifikimin e punëve që do të kryhen gjatë pjesës tjetër të vitit. Në realizimin e projekteve kapitale janë realizuar kryesisht ato në rrugë nëpër lagje, kanalizim, ujësjellës, shërbimet e varrimit, menaxhim të mbeturinave dhe projekte të tjera të planifikuara.
Të pranishmit kanë shtruar pyetje për drejtorët e drejtorive komunale dhe kanë dhënë propozimet e sugjerimet e tyre për përfaqësuesit e zgjedhur komunal lidhur me realizmin e projekteve të planifikuara për gjashtëmujorin e parë të vitit 2018 dhe ato projekte që janë të planifikuara për gjashtëmujorin e dytë të këtij viti.

