​Çfarë po ndodh me konkursin për drejtor të policisë? MPB nuk jep informata

Të premten mbushet një muaj që kur është mbyllur konkursi për drejtor të ri të përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Përkundër kohës, MPB’ja ende nuk e ka përzgjedhur kandidatin të cilin do t’ia propozojë kryeministrit për emërim.

Naim Rexha të paktën edhe për disa javë do të ushtrojë detyrën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë. Kjo pasi, MPB’ja ende se ka përzgjedhur kandidatin që do t’ia propozojë Kryeministrit Ramush Haradinaj për ta emëruar në krye të Policisë.

Ndonëse ka gati një muaj që kur është mbyllur konkursi i MPB’së, aplikantët për drejtor të ri të përgjithshëm të policisë tek gjatë ditëve në vijim do të thirren për intervistim.

MPB’ja vazhdon të mos jetë transparente në këtë proces. Përkundër interesimit të Gazetës Express, të martën ministria që drejtohet nga Bejtush Gashi nuk ka treguar se në cilën fazë ndodhen kandidatët që kanë garuar për të ardhur në krye të organit të sigurisë.

Gazeta Express, përmes burimeve brenda kësaj ministrie, ka mësuar që janë rreth 10 emra që kanë dërguar CV’it e tyre në MPB për tu përzgjedhur drejtorë të përgjithshëm.

Megjithatë, MPB nuk ka konfirmuar për gazetën as numrin e kandidatëve që kanë aplikuar.

Burimet e Express tregojnë se në mesin e atyre që kanë kandiduar është edhe ushtruesi i detyrës së Policisë Naim Rexha.

Konkursi për drejtor të përgjithshëm të Policisë fillimisht ka qenë i hapur deri më 22 maj të këtij viti, por në ditën e mbylljes së tij, ai është shtyrë për shtatë ditë tjera.

Në garë për të pasur Shpend Maxhunin, që tash e disa muaj drejton AKI’në, është raportuar të jetë edhe Rashit Qalaj, nënkoloneli që drejton Operacionet në Polici. Sikurse, T7 dhe Gazeta Express, më parë kanë raportuar se në pozitën që dikur drejtonte, po synon të kthehet edhe ish-drejtori i policisë në vitet 2010-2011, Reshat Maliqi.

Sipas Ligjit për Policinë, kandidatët për emërim në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të PK’së nga konkursi i përzgjedh Komisioni i formuar nga kryeministri i vendit, të cilët i propozohen ministrit të brendshëm, e i cili në mbledhjen e Qeverisë ia propozon ata Qeverisë. Kjo e fundit i rekomandon kryeministrit kandidatin për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë, të cilin në fund e emëron shefi i ekzekutivit.

Kushtet e veçanta që duhet të përmbushin aplikantët për shef të Policisë janë, ndër tjera, edhe të ketë gradën policore kolonel, nënkolonel ose major, së paku pesë vite para momentit të aplikimit. Po ashtu, kandidati duhet të mos jetë i ndëshkuar për shkelje të rëndë disiplinore sipas rregullores disiplinore të policisë apo rregullores së institucioneve tjera shtetërore brenda 10 viteve të fundit që është ekuivalente me shkeljet që përcaktohen në rregulloren e disiplinës së Policisë së Kosovës.

Ndryshe, Shpend Maxhuni ishte larguar nga drejtori i përgjithshëm i policisë në prill të këtij viti, për të marrë drejtimin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, e cila kishte mbetur pa shef pas skandalit të kidnapimit dhe deportimit të gjashtë shtesave turq nga Kosova. /GazetaExpress/.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë