Fitorja ishte seksi, por festimi ishte josportiv

Shkruan Arben Idrizi:

Në Kosovë dhe Shqipëri futbollistëve shqiptarë të Zvicrës u është bërë presion me vite të tëra, e sidomos në momentet më të brishta të karrierës së tyre. Reagimi më i mirë ndaj atij presioni është zhvillimi i tyre profesional. Dhe, në të njëjtën kohë, reagimi më i mirë sportiv ndaj fyerjeve të mediave dhe opinionit serb ishte fitorja. Jo festimi

Për urrejtjen, stimuluesi më i fuqishëm dhe më i dashur është i urryeri.

E thënë vetëm kështu në mënyrë aforistike, mund të merret për krejt të kundërtën e asaj që po mendoj. Do të dukej sikur po them se unë nuk do të urreja, por ai i urryeri, në vete e për vete, më detyron të urrej. Si i tillë, ai është fajtor për mëkatin tim, urrejtjen, tek e cila kurrë nuk do të shkoja, nga vetja dhe për veten.

Jo, nuk nënkupton këtë. Po sqarohem.

Fitorja e Zvicrës (për të cilën luajnë disa futbollistë me origjinë shqiptare) ndaj Serbisë në futboll, në kuadër të Kampionatit Botëror, e ngarkuar nga emocionet nacionaliste, në vend se sportive, shumë kohë para se të fillonte, riktheu frikshëm në skenë urrejtjen ndëretnike.

Dy nga protagonistët e fitores dhe ndezjes së emocioneve nacionaliste, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, autorët e atyre dy golave të mrekullueshme, deri më sot kanë qenë ndër personat me prejardhje shqiptare më të urryer mbi rruzullin tokësor. Jo pse janë të urryeshëm, apo se kanë bërë ndonjë të keqe, por thjesht sepse nuk kanë pranuar të braktisin kombëtaren e Zvicrës (vend ku janë rritur, edukuar dhe aftësuar profesionalisht, nënshtetas të të cilit janë) për atë të Shqipërisë fillimisht dhe atë të Kosovës më pas, pas pranimit në UEFA dhe FIFA. Në opinionin publik, në media, në institucionet sportive, ata janë sulmuar, fyer, sharë dhe kërcënuar vazhdimisht për atë vendim të tyre të drejtë, normal dhe të pritshëm. Natyrisht, në raste të tilla, akuza më e shpeshtë është ajo më banalja dhe më banalja është ajo më kafshërorja: tradhtar. Pra, ata janë quajtur tradhtarë të kombit të tyre. Si të tillë, janë urryer po aq sa armiku, tjetri, jo shqiptari. Po të kishin mundur, do t’ua kishin ndrequr samarin.

Ama, tani, jo tani gjithçka është ndryshe.

***

Atmosfera nacionaliste ishte ndezur qysh në momentin kur ishte hedhur shorti i Botërorit. Një prej momenteve më të larta, sigurisht, ishte përfundimi i ndeshjes së parë, mes Serbisë dhe Kostarikës. Në Serbi filluan të festojnë, jo për të festuar në mënyrë sportive, por për të manifestuar urrejtjen ndaj shqiptarëve, përkatësisht Kosovës. Kostarika ishte njëri prej vendeve të para që e kishte njohur pavarësinë e Kosovës, andaj, për serbët, fitorja ndaj tyre ishte një hakmarrje e pastër nacionaliste dhe politike: është mposhtur miku i armikut. Një këngëtar serb shkoi deri aty sa i kushtoi këngë fitores, duke mos u kursyer as nga sharjet me nënë.

Para lojës me Zvicrën, disa media serbe e bënë mision qëndrimin e tyre antishqiptar, duke i fyer tërë kohën futbollistët zviceran me prejardhje shqiptare.

***

Urrejtja, pra, është një ndjenjë që gjen plotësimin e saj më katarktik te vëllazërimi me të urryerin brenda tufës. “Tradhtarët” kanë megjithatë rastin të lahen, t’i bëjnë një shërbim kombit/urrejtjes: ta poshtërojnë “armikun”. Me ta bërë këtë, ata nuk do të jenë më të urryer, të paktën për një kohë sa do të zgjasë shijimi i kënaqësisë së përfituar nga “akti heroik”. Ata janë “patriotë”, në fund të fundit. Pavarësisht se nuk e kanë bërë më parë atë që ua kemi kërkuar, tani janë tanët. Tash janë të falur të jenë “tradhtarët” e dikurshëm. Më thjesht: tash mund të luajnë sa të duan për Zvicrën, mund ta refuzojnë kombëtaren e Shqipërisë dhe Kosovës. E mira më e madhe është se e kanë mundur Serbinë dhe e kanë bërë shqiponjën para syve të lojtarëve dhe simpatizantëve serbë.

***

Xhaka e Shaqiri, bashkë me Behramin dhe të tjerët, nuk kanë ndonjë vetëdije antinacionaliste. Në të vërtetë, duke pasur parasysh vendin ku janë rritur dhe zhvilluar, nuk do ta kishin as ndonjë prirje nacionaliste. Megjithatë, siç është dëshmuar deri më tani nga deklaratat e tyre dhe siç u pa nga loja, ata janë të stërngarkuar me nacionalizëm. Pra, jo për fajin e tyre, por për fajin e familjes, rrethit dhe vendit të prejardhjes. Në Kosovë dhe Shqipëri atyre u është bërë presion me vite të tëra, e sidomos në momentet më të brishta të karrierës së tyre. Do të duhej të kishin pranë vetes njerëz tepër të mençur që do të dinin t’i këshillonin ta përballonin atë valë marrëzie të sulmeve dhe fyerjeve.

Sidoqoftë, unë mendoj se reagimi më i mirë ndaj atij presioni është zhvillimi i tyre profesional. Dhe, në të njëjtën kohë, reagimi më i mirë sportiv ndaj fyerjeve të mediave dhe opinionit serb ishte fitorja. Jo festimi. Nëse do të ishin kufizuar me aq, do të ishin dëshmuar futbollistë profesionistë e persona të pjekur dhe të (e jo u)rryer.

Me atë që bënë, u bashkuan me pafundësinë e atyre që nuk dinë tjetër veçse të nxisin dhe prodhojnë urrejtje. Si trajneri serb që e krahason VAR-in me Hagën, apo kryetari i Federatës serbe të futbollit që e konsideron përzgjedhjen e gjyqtarit të ndeshjes një komplot ndaj Serbisë.

***

Mendojeni tash dialogun Kosovë-Serbi në atmosferën e këtij shpërthimi të ri të urrejtjes së ndërsjellë.

 

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë