Lajm i keq për mjekët: S’ka mëditje

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili ditë më parë, ka nënshkruar kontratën kolektive sektoriale me Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës.

Me këtë kontratë parashihet që mjekëve specialistë t’u paguhen kujdestaritë me rritje prej 45%, varësisht nga dita e punës, ndërsa sipas mundësive buxhetore, beneficione do të ketë edhe për ata punonjës të shëndetësisë primare cilët udhëtojnë mbi 5 kilometra nga QMF-të.

Mirëpo, realizimi i kësaj marrëveshjeje do të ndodhë vetëm pasi që në Qeveri të miratohet Ligji për Pagat.

Për këtë rritje është kontaktuar Ministrinë e Financave, për të pyetur se kjo rritje a do të sjellë probleme buxhetore, mirëpo në këtë ministri duke mos dhënë përgjigje në këtë pyetje, ata kanë thënë që për këtë çështje t’i referohemi Ministrisë Së Shëndetësisë.

“Ju lutem që për këtë çështje të kontaktoni Ministrinë e Shëndetësisë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave.

Ndërsa, në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë për Gazetën Alo se rritja e pagave të kujdestarive do të reflektojë me rastin e rritjes së pagës bazë, siç parashihet me Ligjin për Pagat, për të cilin po punon një grup ndërsektorial me përfaqësues të Ministrisë së Administratës Publike, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

“Kontrata do të realizohet në tërësi, ndërsa rritja e pagave të kujdestarive do të reflektojë me rastin e rritjes së pagës bazë, siç parashihet me Ligjin për Pagat”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Kurse, në ditën e nënshkrimit të kësaj kontrate ministri i shëndetësisë Uran Ismaili ka thënë se presin që në qershor të kalojë në Qeveri Ligji për Pagat dhe kështu të ketë një situatë tërësisht të re për personelin mjekësor.

Ndryshe, avazi i rritjes së pagave në sektorin publik po vazhdon. Ditë më parë, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se nuk ka shkelje në vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë