Labinot Halilaj uron qytetarët e Drenasit me rastin e ditës së çlirimit
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Drenasit, Labinot Halilaj ka uruar qytetarët e Drenasit me rastin e 14 Qershorit, Ditës së Çlirimit të Drenasit.
Ky është urimi i Halilajt:
Data e 14 qershorit kthen në kujtesë të qytetarëve të Drenasit ditën kur pas shumë përballjeve me vdekjen, u ringjall edhe një herë shpresa për jetë.
Kjo datë e vitit 1999 vulosi përpjekjen e heronjëve e dëshmorëve tanë dhe e kurorëzoi misionin e tyre të shenjtë, që ky vend të ç’lirohej një herë e përgjithmonë nga kthetrat e një pushtuesi të dhunshëm e ta përqafonte paqen, si të gjithë popujt e botës.
Në çdo fund pranvere, për gjeneratat më të reja të vendit tonë, pjekja e qershive nuk simbolizon ëmbëlsinë kryesore të stinës.
Ato vërtet ishin të ëmbla edhe në atë pranverë të 99-ës, kur u rikthyem triumfues në shtëpitë tona, por më e ëmbël ishte aroma e lirisë në tokën tonë, liri e cila na mungoi për një kohë aq të gjatë.
Sot, qyteti dhe qytetarë e Drenasit kujtojnë me nder e krenari të gjithë dëshmorët e qytetit tonë, të cilët sakrifikuan jetën e tyre që jeta jonë më në fund të kishte kuptim. I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!


