Dy persona rrëmbehen në mes të ditës

Dy persona janë rrëmbyer në mes të ditës në një restorant që gjendet në vendin e quajtur Tabet e Llapashticës në Podujevë nga katër persona të armatosur.
Dy persona janë rrëmbyer rreth orës 12:00 në fshatin Llapashticë të Podujevës nga disa persona të panjohur.
Lajmin e ka konfirmuar për Express, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ajo ka thënë se viktimat e këtij rasti tash janë në stacionin policor dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.
“Sot kemi pranuar informatën se dy persona janë rrëmbyer rreth orës 12:00 në fshatin Llapashticë të Podujevës nga persona të panjohur. Me të marrë informatën kemi dalë në vendin e ngjarjes. Viktimat e rastit aktualisht gjenden në stacionin policor dhe janë në gjendje të mirë. Policia e stacionit te Podujevës në bashkëpunim me njësitet tjera policore po merren me rastin”, thuhet në përgjigjen e policisë.
Të dyshuarit nuk janë arrestuar, ndërsa policia po vazhdon hetimet.