Nënkryetari Sylaj bënë homazhe pranë lapidarit të martires Besmira Hajdari

Nënkryetari i Komunës, Gani Sylaj, me bashkëpunëtor ka bërë homazhe pranë lapidarit të ngritur në oborrin e shkolles fillore të mesme të ulët “Rilindja” në Dobroshec, me rastin e përvjetorit të martires së vrarë në luftë nga forcat pushtuese serbe Besmira Enver Hajdari.
Me këtë rast Nënkryetari Sylaj, në fjalimin e tij përmendi nxënës e mësimdhënës të cilët padrejtësisht u vranë gjatë luftës në Kosovë. Gjithashtu i shprehu ngushëllime familjes Hajdari nga Dobrosheci.
“Sot në përvjetorin e 19 të rënies së martires Besmira Hajdari, kemi ardhur këtu ta nderojmë atë dhe martirët e të gjitha moshave, emrat e të cilëve janë të skalitur në këtë përmendore në oborrin e kësaj shkolle. Si rezultat sakrificës të dëshmorëve e martirëve, ne sot jetojmë, punojmë e lëvizim të lirë në atdheun tonë. Të rënët e të gjitha moshave si dhe nxënësit dhe arsimtarët janë dëshmi se lufta e UÇK-së dhe bombardimet e NATO-s u bënë për t’i dhënë fund një pushtuesi e regjimi që nuk la mjet pa përdorur për ta zhdukur dhe larguar nga këto troje popullin shqiptar. Fitorja mbi Serbinë pushtuese u arrit, por ajo do të jetë e plotë kur Kosova të pranohet në OKB, aty ku meriton ta ketë vendin”, tha Nënkryetari Sylaj.
Ndërsa prej orës 16:00 në Teatrin Dodona në Prishtinë, do të promovohet shfaqja “Nata e fundit në Lugun e Beses”, ku mund të marrin pjesë të gjithë të interesuarit.