Vdekja e Vokrrit, trishtuese për të gjithë

Lajmi për vdekjen e legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ka trishtuar botën e sportit dhe politikën.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me trishtim e ka marrë lajmin për vdekjen e Vokrrit, siç ka thënë ai, të parakohshme.
“Me dhimbje të madhe dhe pikëllim të thellë, i tërë kombi mori lajmin për vdekjen e parakohshme të Fadil Vokrrit, yllit më të ndritur të sportit dhe jo vetëm sportit tonë. Ngushëllime familjes, miqve dhe tifozëve. U prefsh në paqe Kapiten”, ka shkruar Thaçi.
Për vdekjen e Vokrrit ka shkruar edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili e ka quajtur frymëzim për shumë breza.
“I trishtë lajmi për vdekjen e hershme të legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit, i cili tërë jetën e shkriu, që t’i japë emër atdheut të tij, të cilin aq shumë e deshti dhe i qëndroi besnik deri në frymën e fundit.
Fadili ishte motivues i madh yni që na dha zemër për të dalë fitues nga të gjitha betejat!
Fadili kurdoherë ishte figura qendrore në fushën e blertë duke u sjellë bashkëqytetarëve buzëqeshje e gëzim edhe në kohërat më të rënda, kur pesha e dhunës peshonte mbi ta.
Ai u bë frymëzim për shumë breza sportistësh kosovarë dhe ikonë e futbollit, jo vetëm në hapësirat shqiptare, që nga vitet ’80, duke e fituar betejën e fundit, anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA.
Dritë të pastë shpirti, Fadil”.
Zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli e Enver Hoxhaj kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e Vokrrit.
“Çfarë lajmi trishtues vdekja e legjendës tonë të futbollit, Fadil Vokrri! Ngushëllime familjes, miqve dhe qytetarëve të Kosovës. Do ta ruajmë gjithmonë kujtimin për të. Prehu në paqe, Fadil”, ka shkruar Hoxhaj.
“Sapo mora lajmin e hidhur. Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri sot ka ndërruar jetë. Prehu në paqe miku im, dhe legjenda e shtetit tonë”, ka shkruar Pacolli.
Valon Murati i Lëvizjes për Bashkim ka thënë se kur në ditët e sotme fëmijët kanë Messin e Ronaldon, kosovarët dikur e kishin idhull Fadil Vokrrin.
“Fëmijët sot kanë Mesin e Ronaldon. Ne idhull kishim Fadil Vokrrin. I trishtuar që nuk i mbijetoi sulmit. Edhe më i trishtuar, që isha dëshmitar i kësaj beteje. Le t’i prehet shpirti në paqe”, ka shkruar Murati.
Avdullah Hoti, LDK:
Legjenda e futbollit Fadil Vokrri ndahet nga ne, por emri i tij do te jetoj nder breza te futbollisteve tanë. Nje njeri qe gezon respekt te rralle.
Pusho ne paqe mik.