11 kosovarë kafshohen nga gjarpërinjtë, në mesin e tyre edhe një fëmijë që gati e humbi gishtin

QKUK-së i janë shtuar rastet e kafshimit të gjarpërinjve – nëntë pacientë kanë kërkuar ndihmë mjekësore vetëm këtë pranverë. Nga ky spitali shtetëror deklarojnë se i kanë medikamentet e nevojshme për trajtimin e kafshimeve nga këta zvarranikë.
Kohëve të fundit në Parkun e Gërmisë janë duke u shfaqur një numër i konsiderueshëm i gjarpërinjve. Qytetarë të shumtë të cilët po e vizitojnë atë zonë, po deklarojnë se janë shpeshtuar rastet kur po i shohin gjarpërinjtë. Por, ende nuk është raportuar për ndonjë rast për ndonjë kafshim.
E prej Gërmisë, një person gati sa nuk e humbi gishtin si pasojë e kafshimit nga gjarpri në një fshat të Kosovës. Fatmirësisht menjëherë u drejtua për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim. Ka qenë serumi kundër kafshimit të gjarprit ai i cili menjëherë i është injektuar atij në trup duke parandaluar kështu infektimin e gjakut nga helmi i gjarprit. Por i mitur nuk kaloi pa pasoja, ai iu nënshtrua një operacioni kirurgjik në njërin prej gishtave të dorës.
Kjo ngase gjarpri ia kishte helmuar një pjesë të gishtit. Por, janë edhe dhjetëra raste të tjera të kafshimit të gjarpërinjve që kanë ndodhur në Kosovë vetëm gjatë këtyre pesë muajve të parë të këtij viti. Vetëm në Klinikën Infektive të QKUK’së që pesë muaj janë paraqitur 11 raste të kafshimit nga gjarpërinjtë. Nëntë prej tyre kanë marrë trajtim mjekësorë në këtë klinikë. Kështu i ka thënë Express’it, drejtori i Infektives, Hamdi Ramadani.
“Nga janari e deri më sot në klinikën tonë janë kontrolluar nëntë raste të cilat kanë qenë të nevojshme që edhe të ndalen për mjekim spitalor. Nga këto raste, Prishtina i ka pas 2, Gracanicë 1, Han i Elezit 1, Lipjan 2 e Skënderaj 1. Kurse raste ambulatore kanë qenë dy raste”, ka thënë Ramadani. Ai ka shpjeguar edhe për rastin e fëmijës i cili u kafshua nga gjarpëri e që qëndroi në Infektivë për disa ditë.
“Deri dje ne në klinikë e kemi pas të shtruar një rast. Ka qenë një fëmijë ku u kafshua nga gjarpëri në gisht si dhe ndaj të njëjtit është dashur që të kryhet një intervenim shëndetësor. Gjendja shëndetësore e këtyre nëntë rasteve pasi kanë dal nga Klinika ka qenë e qëndrueshme”.
Por, për të gjtha këto raste Ramadani thotw se e kanë serumin kundër kafshimit.
“Për momentin ne kemi serume të mjaftueshme kundër kafshimit të gjarpërit”, thotë ai.