Njihuni me mësuesen që theu tabutë në Kosovë

Para luftës në Kosovë ishte sfidë shkollimi i grave. Madje atëbotë vështirë të dëgjohej për ndonjë grua të shkolluar. E larg mendjes ishte edhe punësimi i tyre.

Fati i tyre shpeshherë përcaktohej nga prindërit e tyre, si jo rrallëherë ato martoheshin në moshë të re e krijonin familje.

Por një përvojë të tillë nuk e kishte Habibe Ibishi, për të cilën kishte dëgjuar e gjithë Kosova në atë kohë.

Ajo përveç që kishte thyer mitin për shkollimin e grave, punonte si arsimtare, po ashtu ishte aktiviste e të drejtave të grave, punonte për arsimin e tyre.

Habibja shkollën normale e kishte kryer në Gërmovë ndërsa të lartën në Ferizaj.

Pas disa vitesh ajo zuri vend në shkollën “Ganimete Tërbeshi” në fshatin Smirë të Vitisë, ku prej tash do ushtronte profesionin e mësueses.

Pasi që Habibja ishte nga fshati Gërmovë, për te shkuar në vendin e punës bënte çdo ditë 6 kilometra rrugë.

Habibja dallohej për të mirë nga kolegët e saj në punë. Ajo po ashtu lavdohej edhe nga Enti Pedagogjik i Gjilanit për punë të suksesshme.

As këtu nuk mbarojnë fjalët e mira për mësuesen Habibe. Ajo tashmë po bënte namin edhe jashtë shkollës. Rilindja raportonte se mësuesja ishte  edhe anëtare e Konferencës Komunale për aktivitetin shoqëror të gruas.

Aktivistja Habibe njashtu ishte edhe porotë e Gjykatës Komunale.

Në anën tjetër, ajo krahas punëve të tjera është angazhuar edhe për arsimimin e atyre grave që nuk ishin përfshirë në shkollimin e rregullt.

Habibja mbante kurse mësimi për këto gra. Megjithatë ajo mendonte se në kohën që jetonte ajo kishin filluar ca fije shprese për emancipimin e grave shqiptare.

Krahas jetës profesionale e aktiviste, Habibja ishte e martuar, bënte jetë të lumtur bashkëshortore.

 

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë