Kur do të aterrojë Germania Airlines si kompani rezidente në Kosovë

Në fillim të këtij muaji – Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj – pas takimit që kishte me përfaqësuesit e kompanisë së njohur gjermane Germania Airlines pati deklaruar se kjo kompani ka shpreh interesimin për bashkëpunim më të thellë me autoritetet kosovare për t’u bërë kompani rezidente.
Kryeministri Haradinaj tha se Qeveria e vendit është e përkushtuar që të avancoi përpara këtë agjendë.
Vendosja e kompanisë gjermane “Germania Airlines” si kompani rezidente në Kosovë do të mundësonte shtimin e destinacioneve të reja ajrore dhe shtimin e frekuencave në linjat ekzistuese duke ndikuar kështu në rritje të numrit të udhëtarëve.
Ardhja e këtij gjiganti europian do të ndikojë edhe në rritjen e të hyrave të buxhetit të shtetit kosovar.
Valentina Gara, zëdhënëse në Aeroportin Ndërkombëtar i Prishtinës, tha se Autoriteti i Aeroportit është i gatshëm të ofroi të gjitha shërbimet e nevojshme për kompaninë Germania Airlines.
“Aeroporti i Prishtinës është e gatshme për ta pritur një kompani të tillë dhe e mirëpret një vendim të tillë nga institucionet e Qeverisë së Kosovës, gjegjësisht Ministria e Infrastrukturës”, tha Gara.
Sidoqoftë, akoma nuk është bërë e ditur se kur do të filloj ky bashkëpunim.
Qysh prej këtyre takimeve më nuk është lëshuar asnjë deklaratë dhe nuk është bërë asnjë lëvzije më nga Qeveria e Kosovës.