Nuk punoi as një vit, mbyllet fabrika e tekstilit

Më 13 korrik të 2017, bëri shumë bujë hapja e fabrikës së tekstilit në Viti.

Në përurimin e saj mori pjesë Kryetari i Komunës, Sokol Haliti e shumë përfaqësues institucionesh.

Kjo fabrikë, e quajtur “Vitex” u hap në bashkëpunim me biznesmenë të Komunës së Vitisë dhe atyre gjerman.

Mirëpo, përkundër kësaj kjo fabrikë ende pa e mbushur një vit është mbyllur.

Ka dy muaj që punëtorët e “Vitex-it”, janë pa punë. E njoftimin që kanë marrë ata nuk është i qartë.

Përveç kësaj, punëtorët janë ballafaquar edhe me vështirësi tjera.

E për këto parregullësi, punëtorët kanë protestuar duke kërkuar ndihmë nga Kryetari i Komunës, Sokol Haliti. Ky i fundit për T7, nuk është përgjigjur, pasi që ka qenë në pushim.

Në emër të tij ka folur nënkryetari i kësaj komune, Hasan Aliu i cili tha se kjo është një çështje e pronarëve të fabrikës, pasi që është private.

Burime të T7, prapa kamerave tregojnë se deri te mbyllja ka ardhur edhe për shkak të konfliktit ndërmjetë gjashtë aksionerëve.

E këtë mosmarrëveshje e ka konfirmuar edhe njëri nga aksionerët, Haqif Ibrahimi. Ky i fundit fajin e hedhë mbi investitorët gjermanë.

Konflikte të tilla kanë çuar fabrikën edhe në borxhe për energji elektrike, vonesa të pagave, e të tjera.

Mirëpo, përkundër kësaj, ish-punëtorët ende shpresojnë që kjo kompani mund të rifunksionalizohet dhe të fillohet puna përsëri.

 

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë