Krim dhe jo ndëshkim

Shkruan Arben Idrizi:

Një histori e shkurtër dhe jo gjithëpërfshirëse e krimeve serbo-shqiptare gjatë dhe pas luftës së Kosovës

Dje, Gjykata Themelore e Mitrovicës e ka liruar Zoran Vukotiqin nga aktakuza që e ngarkonte për vrasjen e katër personave civilë shqiptarë (Enver Rrustollit, Hamdi, Avdulla e Fahredin Fazliut), më 5 maj 1999, në Vushtrri. Sipas aktakuzës, ai po ashtu kishte marrë pjesë sistematikisht, bashkë me Gorolub Paunoviqin, në keqtrajtimin dhe plaçkitjen e banorëve shqiptarë dhe pronave të tyre. Paunoviq ishte bërë po ashtu i njohur në tërë vendin, gjatë luftës, për atë foton ku shihej duke prerë në fyt një të ri, shqiptar. Më vonë ishte marrë vesh se ishte thjesht një inskenim, për t’i tmerruar fqinjët e vet, shqiptarët.

Sidoqoftë, Vukotiq ka edhe aktakuza të tjera, me të cilat do të përballet ditëve në vijim.

***

Drejtësia kosovare dhe ajo ndërkombëtare në Kosovë kanë dështuar vazhdimisht të ndajnë drejtësinë për shumë raste krimesh të njohura. Edhe kur viktimat e keqtrajtimeve, të afërmit e viktimave dhe dëshmitarët kanë treguar kryesit e krimeve, në fund të gjithë ata të akuzuar kanë arritur të shpëtojnë pa u ndëshkuar.

Njëri prej rasteve më të njohura është ai i Oliver Ivanoviqit, të vrarë muaj më parë në rrethana edhe të pasqaruara. Ivanoviq ishte liruar nga aktakuzat për vrasje.

Në disa raste, të dyshuarit serbë për krime, të cilët pas lufte kishin ikur nga Kosova, janë arrestuar kur kanë tentuar të kthehen në Kosovë, por menjëherë janë liruar në mungesë të grumbullimit të provave të mjaftueshme inkriminuese.

***

Në Kosovë, gjatë dhe menjëherë pas luftës, kanë ndodhur krime e masakra nga më të tmerrshmet dhe për shumicën e tyre ende nuk janë vënë para drejtësisë kryesit e tyre. Madje, shumë nga ato krime as nuk janë zbardhur fare, duke lënë pezull gjithçka. Në disa raste, edhe kur kryesit e supozuar janë vënë para drejtësisë, janë liruar në mungesë të provave të mjaftueshme, frikësimit apo tamam eliminimit të dëshmitarëve.

Për ilustrim po përmend disa nga krimet.

Më 15 janar 1999, forcat serbe militare dhe paramilitare vranë mizorisht në fshatin Reçak, 45 civilë shqiptarë. Ish shefi i misionit të OSBE-së, William Wallker, e konsideroi menjëherë “Masakër dhe krim kundër njerëzimit”. Konsiderohet maskara që bëri botën të kthente sytë kah fati ynë çoi te intervenimi i NATO-s.

Deri më sot, askush nuk është vënë para drejtësisë për këtë krim.

Më 26 mars 1999 paramilitarët serbë shfarosën familjen pesëdhjetë anëtarësh Berisha në Suharekë. Krimi u krye në mënyrën më barbare, duke i grumbulluar në një lokal dhe duke i ekzekutuar me mjete shpërthyese dhe të shtëna armësh. Mbijetuan vetëm tre veta. Edhe në këtë rast, trupat e shumicës së të vrarëve nuk dihet ku janë.

Deri më sot, askush nuk është vënë para drejtësisë për këtë krim.

Në Mejë të Gjakovës, më 27 prill 1999, janë ekzekutuar brenda pak orësh 377 civilë shqiptarë, të moshës 15-60 vjeçare. Në masakër kanë marrë pjesë ushtria dhe policia serbe, beretat e kuqe, paramilitarët dhe vetë fqinjët serbë. Trupat e të ekzekutuarve janë marrë me vete nga forcat serbe në Serbi dhe janë varrosur atje në varrezat masive. Një pjesë e tyre janë kthyer, një pjesë ende nuk dihet as ku gjenden.

Deri më sot, askush nuk është vënë para drejtësisë për këtë krim.

Më 28 mars 1999 paramilitarët serbë vranë gjashtëmbëdhjetë anëtarët e familjes Bogujevci nga Podujeva. E mbijetuara Saranda Bogujevci ka bërë luftë të vazhdueshme për t’i nxjerrë para drejtësisë ekzekutuesit. Ajo ka dëshmuar në Serbi në gjyqin ndaj gjashtë ish pjesëtarëve të njësitit Shkorpionët dhe ka refuzuar dëmshpërblimin material të ofruar nga shteti serb.

Krime e maskara të tjera kanë mbetur pa u ndriçuar.

***

Serbia kishte krijuar një gjykatë për krime lufte sa për sy e faqe. Në të janë dënuar disa pjesëtarë të forcave serbe, por zakonisht dënimet kanë qenë minimale. Krimet më të mëdha janë mohuar vazhdimisht.

Serbia po ashtu ka vazhduar t’i mbajë në pozita, e madje t’i avancojë, ushtarakët e akuzuar për krime lufte. Rasti më i njohur është ai i gjeneralit Dikoviq.

***

Por, krime po ashtu janë kryer edhe nga forcat e UÇK-së, ndaj vetë banorëve shqiptarë, atyre serbë dhe romë.

Njëri prej rasteve më të njohura të këtyre krimeve është ai i burgut të Jabllanicës. Për këtë rast është gjykuar e rigjykuar në Hagë edhe kryeministri i tanishëm, Ramush Haradinaj. Ai është liruar në mungesë të provave të besueshme, por rasti ka mbetur i pandriçuar.

Rast tjetër i ngjashëm është ai i burgut të Llapushnikut dhe Kleçkës. Njëri prej të akuzuarve kryesorë, ish komandant i UÇK-së, Fatmir Limaj, sot kryetar i një partie dhe deputet, është liruar nga të gjitha akuzat, në mungesë të dëshmive të besueshme.

Menjëherë pas luftës, në Gracë të Lipjanit janë ekzekutuar barbarisht 14 bujq serbë, duke punuar në tokat e tyre. Askush nuk ka dhënë përgjegjësi para ligjit.

Gjatë dhe pas luftës, janë vrarë rreth 100 zyrtarë dhe aktivistë të LDK-së. Për asnjë rast të vetëm nuk ka pasur asnjë gjykim.

***

Një rast unik i moszbardhjes së krimit është ai i vrasjes së familjes Jashari në Prekaz. Duke qenë se maskara është kthyer në mit, themel të shtetit, askush, në mesin tonë, nuk dëshiron të mendojë as nuk pranon të dëgjojë të flitet për një hetim të mundshëm të rastit, gjetjes së zyrtarëve serbë që urdhëruan dhe atyre që kryen atë krim; edhe pse e dimë paraprakisht se shteti serb kurrë nuk do të pranonte të hapte rastin, apo t’i nxirrte para drejtësisë kryesit e tij. Për ta, ishte luftë në mbrojtje të sovranitetit. Për ne, miti justifikon edhe krimin.

Vetëm drejtësia, askund.

 

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë