Thaçi optimist se kosovarët do të lëvizin pa viza gjatë këtij viti (VIDEO)

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka folur për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, si një nga kriteret kyçe për liberalizimin e vizave.
“Kosova ka qenë vend me fat që sistemin e drejtësisë për periudhë dhjetëvjeçare kanë udhëhequr autoritetet e OKB-së pastaj misioni i rendit dhe ligjit evropian, EULEX-i. Në kuadër të kësaj, mendoj se Kosova ka arritur rezultate të konsiderueshme dhe shumë të prekshme në luftën e krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe fenomeneve të tjera negative”.
“Në takimin në Bruksel me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, në takimin me presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk por edhe në takimet me Federica Mogherinin dhe komisionerin, Johannes Hahn në bisedën e fundit që e zhvillova një ditë para takimit me kancelaren Merkel, është vlerësim i përgjithshëm – të gjithë janë të impresionuar me punën e institucioneve të drejtësisë kosovare, sa i përket implementimit të këtij kriteri për fazën e liberalizimit të vizave”.
Thaçi në Zona B të Klan Kosovës ka thënë se Kosova qëndron shumë më mirë nëse krahasohen të arriturat në këto fusha me vendet në rajon që janë në tranzicion për të ardhmen evropiane, si Bosnja, Serbia, Mali i Zi, Shqipëria.
I pari i vendit është shprehur shumë optimist se kosovarët do të lëvizin pa viza gjatë këtij viti.
“Nga 95 kritere që i janë kërkuar Kosovës për liberalizimin e vizave duke përfshirë edhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Kosova i ka implementuar në tërësi”.
“Kam besim se në muajin qershor do të dalë rekomandimi derisa gjatë vitit, qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm”.
“Bashkimi Evropian por edhe kryeqytetet si Berlini e dinë se kjo çështje është e vonuar. BE besoj se do të lëvizë me hapa konkret në të ardhmen e afërt”.
“Janë duke u zhvilluar konsultat e fundit të ekipit të ekspertëve por vendimarrja është edhe e nivelit politik. Një kryeqytet i vetëm nuk e merr atë vendim, është proces i koordinuar i shteteve anëtare sepse vendimi duhet të jetë unik i të gjitha shteteve të Bashkimit Evropian”.
“Shoh atmosferë shumë të mirë, shoh optimizëm në të gjitha kryeqytetet dhe shoh disponim që të shkojnë drejt një vendimmarrje unike për Kosovën”.
Për më shumë, ndiqeni videon e mëposhtme: