Doli për shëtitje dhe nuk u kthye më, 70-vjeçari i zhdukur që nga dita e shtunë

I moshuari nga Prizreni, Marian Gjugja, që nga dita e shtunë ka dalë nga shtëpia për një shëtitje dhe nuk është kthyer më. Babai i pesë fëmijëve kontaktin e fundit e kishte pasur me djalin e tij, të cilit i kishte thënë se po dilte për të bërë një shëtitje në shatërvan. Por, Mariani vuante edhe nga skleroza (harresa), nuk ishte shumë i shoqëruar dhe nuk mbante telefon me vete.

Njëra nga vajzat e 70-vjeçarit, Jozefina, rrëfen për Gazetën Express për kontaktin e fundit me babainë, rrobat që ai kishte pasur të veshura kur kishte dalë nga shtëpia etj.

Familjarët rastin e kanë raportuar në polici si dhe po kërkojnë edhe ndihmën e qytetarëve në rast se kanë ndonjë informacion për vendndodhjen e Marianit.

Të shtunën pas orës 19:00, ai i vetëm kishte dalë nga shtëpia dhe që nga ajo ditë familjarët nuk dinë asgjë për fatin e tij.

“Vëllai më ka thirrë në ora 6 në mëngjes të dielën, tha a është babai te ti, unë në gjumë kesh. Unë i thashë: A është babi smutë a? Tha jo nuk është këtu, a nuk është te ti a? Thash jo te unë nuk ka qenë, kur ka dalë nga shtëpia”, rrëfen Jozefina momentin kur e kishte marrë vesh se babai i kishte humbur.

Pas kësaj bisede, të dielën në mëngjes ata e kishin raportuar babanë si të zhdukur në polici.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, thotë për Gazetën Express se policia po kërkon vendndodhjen e Marianit, por deri më tani nuk kanë rezultuar në gjetjen e tij.

Marian Gjugja
Marian Gjugja

Jozefina thotë se kur babai i saj kishte dalë nga shtëpia kishte pasur të veshur një xhaketë ngjyrë kafe dhe një palë pantallona ngjyrë të zezë. Ajo tregon se babai i saj ka dalë gjithmonë për të ecur por që përveç vizitave të rregullta në kishë, nuk ka pasur ndonjë vend të preferuar për të shkuar me shokë apo me ndonjë të afërm.

“Ai ka dalë çdoherë me ecë. Deri te kisha, në shtëpinë time, në shatërvan. Ka shku gjithkah nëpër qytet. Nuk ka pas kontakt shumë. Nuk ka shku me nejt rregullisht kerkund, nëpër kafe e restorane jo. Ka jetu më shumë i vetëm, te unë ka ardhë, në kishë u kanë i rregullt për çdo mbramje”, vazhdon rrëfimi për të.

Marian Gjugja jetonte në shtëpi me djalin e tij, në rrugën “At Gjergj Fishta 31” në Prizren. Ai të shtunën pas orës 19:00 kishte dalë nga shtëpia dhe që nga ajo ditë nuk dihet asgjë për fatin e tij.

Rastet kur qytetarët raportohen si të zhdukur në polici nuk janë të rralla. Statistikat e tregojnë se gjatë periudhës janar-prill 2018 është raportuar për 56 persona të zhdukur. Në janar kanë ndodhur 15 raste të personave të zhdukur, në shkurt 14, mars 15 dhe në prill 12 raste.

Në qoftë se i krahasojmë me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar vërehet se numri i personave të zhdukur është në rënie, pasi në katërmujorin e parë të vitit 2017 në polici janë raportuar të zhdukur gjithsej 79 persona apo 23 persona më shumë se këtë vit. /Express

 

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë