Lladrovci publikon fototgrafi të ndryshme me rastin e shpalljes së Wieland, “Qytetar nderi” i Drenasit

Sot, me nderime, kemi pritur në Asamblenë komunale, zëvendës kryetarin e Parlamentit Evropian, z. Rainer Wieland, ku në mënyrë solemne, në prani të Kryeministrit Haradinaj, ia kemi dorëzuar titullin “Qytetar nderi” i komunës së Drenasit.

Për këtë ditë të shënuar, falënderoj sinqerisht Kryeministrin Haradinaj, Kryetarin Bekim Jasharin, deputetët Dr. Fadil Beka, Blerta Deliun, Mërgim Lushtakun, Ganimete Musliun, Avdyl Imerin, udhëheqësit e partive opozitare, udhëheqësit fetarë, OJQ-të, KFOR-in, mysafirët, qytetarët dhe mediet e pranishme që kjo ditë të jetë e veçantë për mua, Asamblenë dhe Komunën e Drenasit.

Në veçanti falënderoj profesorët dhe nxënësit e Gjimnazit “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Imzot Dodë Gjergjin!

Ju faleminderit të gjithëve!

Këtu është fjala ime e mbajtur në mbledhjen solemne, me rastin e shpalljes së z. Rainer Wieland, “Qytetar nderi” i komunës së Drenasit:

Të nderuar asamblistë të komunës së Drenasit,
Shkëlqesia Juaj, kryeministër, Haradinaj,
I nderuari Kryetar i Komunës së Skënderajt, Bekim Jashari,
Deputetë, Shoqata të dala nga Lufta jonë çlirimtare,
Drejtues të partive politike të Drenasit, qytetarë, medie të pranishme,
Zonja e zotërinj,

Shumë i nderuari “Qytetar nderi” i Drenasit, Zotëri Wieland,
Prej sot, historisë së komunës së Drenasit, ju i jeni bashkuar si “Qytetar nderi”.
Faleminderit Z. Rainer për miqësinë dhe angazhimin Tuaj për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Sot, unë, i dashur Rainer, jam qytetari më krenar i Drenasit, duke ju pasur edhe Juve “Qytetar nderi”.

Jam i nderuar për miqësinë tonë dhjetëra vjeçare, jam krenar se besimi ynë i përbashkët, është bërë realitet. Kosova është shtet, Drenasi është në rrugë të mbarë, të bëhet qytet në të cilin qytetarët duan të jetojnë, sepse, respektohet ligji, zbatohen strategjitë nacionale, kemi ofruar perspektivë për investitorët.

Z. Wieland, Ju e dini se djepi i lirisë tonë është këtu, në Drenicë, këtu lindi, u rrit dhe korri fitore historike, Ushtria jonë çlirimtare. Ne këtë nuk do të arrinim edhe pa ndihmën Tuaj. Prandaj sot, Z. Wieland, me krenari dhe respekt të thellë, nderojmë punën Tuaj, angazhimin dhe përkushtimin për Kosovën dhe Drenicën.

Në emër të banorëve të Komunës sonë, shpreh falënderimin e thellë, për ndihmesën e jashtëzakonshme të qeverisë Suaj, të Landeve dhe bashkive, të njerëzve të zakonshëm dhe të politikës, për mbështetjen e fuqishme që i dhatë popullit tonë në vitet më të vështira. Rreth gjysmë milionë banorë të Kosovës kanë gjetur tek ju shtëpinë e tyre të dytë, kanë prekur bujarinë dhe mikpritjen dhe këtë nuk do ta harrojmë kurrë.

Ju i takoni një partie të fuqishme evropiane, një grupi dominant të partive të djathta në Parlamentin Evropian, ku ju jeni nënkryetar, i partive EPP, dua të theksoj vlerësimin tim të thellë, të komunës time, të shtetit tim dhe të partisë që i takoj, se ju nga sot, si qytetar nderi i Drenasit, keni nderuar miqësinë tonë, Asamblenë e Komunës së Drenasit, Kosovën edhe kombin shqiptar.

I nderuari miku im Wieland,
Tek shteti gjerman, në veçanti tek Kancelarja Federale Zonja Merkel, kemi gjetur përkrahje, mbështetje dhe miqësi të sinqertë në rrugën tonë evropiane dhe procesin integrues euro-atlantik.

Gjermania, si asnjë shtet tjetër në botë, dha ndihma financiare të drejtpërdrejta për rimëkëmbjen e Kosovës. Këtu nuk dua të përmend, qindra milion euro të bashkatdhetarëve tanë që punojnë prej dekadash apo vitet e fundit në shtetin tuaj, të cilët, përmes kontributit të tyre ndihmojnë në jetesën dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.

I nderuari Z. Wieland, vendi ynë Kosova, po kalon sot një periudhë të ringritjes që shpesh herë ka në vete edhe padurimin. Ne jemi një popull thellësisht evropian, me gjuhën tonë indoevropiane, me traditën, me idetë dhe vizionin tonë drejt Evropës.

Duke qenë një popull i tillë, besnik deri në fund për idealet e lirisë, barazisë dhe të demokracisë, ne presim që trualli ynë i përbashkët evropian të hapë rrugët e mëtejshme, përmes liberalizimit të vizave.

Unë kam besim të madh tej ju Z. Wieland, se ju, CDU, Angela Merkel dhe Gjermania, do të bëni më të mirën e mundshme për ne, qytetarët e Republikës së Kosovës.

Unë, në emër të qytetarëve të komunës së Drenasit, por edhe të Kosovës, ju lus ta përdorni tërë autoritetin Tuaj dhe ndikimin që qytetarët tanë të mos jetojnë në geto, në izolim.

Z. Wieland, mos ma merrni për të keq por sinqerisht ju lus, bëni aq sa mundeni që t’i bashkohemi vlerave në të cilat jetojnë dhe i ndërtojnë, qytetarët gjermanë dhe qytetarët e Bashkimit Evropian.

Ne do të vazhdojmë ta zbatojmë ligjin,
Ne do të vazhdojmë ta fuqizojmë sundimin e ligjit,
Ne jemi duke ngritur cilësinë e arsimit dhe arsimin profesional,
Po e ngritim prodhimin vendor,
Ne po shtojmë konkurrueshmërinë e kompanive tona,
Ne jemi duke ruajtur ambientin,
Ne po përpiqemi ta ngritim cilësinë e jetës së qytetarëve tanë.
Edhe ne e dimë se mundemi më shumë,

Ju me rastin e përkrahjes së liberalizimit të vizave, ju përkrahni rininë tonë për studime, firmat tona të bëhen më të afta, vajzat tona të barazohen me shoqet e tyre në Bashkimin Evropian, pra, liberalizimi i vizave, do të na lehtësonte të pranojmë më shpejtë vlerat integruese.

Kancelarja Merkel, në takimin e së mërkurës, në takim me Presidentin Thaçi, ka kërkuar luftimin e korrupsionit dhe uljen e papunësisë.

Pikërisht këtë jemi duke e bërë edhe në komunën e Drenasit, andaj, jam krenar se mesazhi i Zonjës Merkel, në komunën tonë, po bëhet që nga dita ime e parë që qytetarët ma besuan drejtimin e Komunës.

Z. Wieland,

Ne do të shtojmë edhe më shumë punën, në nivelin lokal, duke i kontribuar zbatimit të ligjit që jo vetëm qytetarët tanë në Drenas, por edhe Ju, në Parlamentin Evropian, të jeni krenar me punën që bëhet në komunën tonë, që nga sot edhe jeni zyrtarisht “Qytetar nderi”.

Ne kemi qenë gjithmonë krenar me miqësinë Tuaj, ashtu edhe do të mbetet.

Z. Rainer, miku im,

Qofshi të nderuar Ju, familja Juaj, Gjermania dhe Bashkimi Evropian, që duhet ta hapë pakëz më shumë derën, për neve, që përjetuam dhimbjet dhe torturën më çnjerëzore, vetëm e vetëm se deshëm lirinë dhe pavarësinë tonë.

Kjo ditë e shënuar, le të jetë edhe kujtesë e një falënderimi të përjetshëm për Juve z. Wieland, një qytetari shembull për synimet tona, njerëzore e shtetërore, procesin integrues dhe vlerat euro-atlantike.

Ju faleminderit Z. Rainer Wieland!

Urime titulli “Qytetar nderi” i komunës së Drenasit!

Gëzuar!

Drenas, më 12 Maj 2018

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë