Drenoci në hall për trotuare

Drenoci i Malishevës ka tri shkolla me më shumë se 700 nxënës. Fëmijët e këtij fshati rrezikojnë jetën për shkak se obligohen të ecin rrugës kryesore në mungesë të trotuareve. Problem tjetër në këtë vend është edhe ndërtimi i një salle sportive që po planifikohet të ndërtohet larg shkollave.
Është fshati më i madh i Malishevës, si nga sipërfaqja ashtu edhe nga numri i banorëve.
E për këtë arsye Drenoci ka tri shkolla. Por për të shkuar deri te ato, nxënësit po ecin rrugës kryesore, për shkak se mungon trotuari, raporton T7.
E drejtori i drejtorisë së urbanizmit, Islam Vrenezi thotë se nuk ka mungesë, por në anën tjetër flet për investime që do të bëhen për trotuare në Drenoc.
Vrenezi sqaron se në këtë fshat do të ndërtohet edhe një sallë e sportit, por nuk është i informuar se destinacioni i saj është përcaktuar tashmë.
Ndërsa për drejtorin e shkollës, “Bajram Curri”, Daut Morina trotuaret nuk janë problem në fshat.
Madje ai flet edhe në emër të komunës për planet në këtë aspekt.
Mirëpo ajo çka paraqet shqetësim për anëtarin e NISMA-s, njëherësh edhe drejtorin e shkollës, është destinacioni ku është vendosur të ndërtohet salla e sportit.
Sipas tij, salla e sporteve do të duhej të ndërtohej te shkolla të cilën ai e drejton dhe kjo me një arsye.
Sipas tij, në lagjen ku ai jeton, duhet të bëhen të gjitha investimet së pari, për shkak se është lagje me dëshmorë e më së shumti banorë.
Ndryshe në fshatin Drenoc vijojnë mësimin fillor më shumë se 700 nxënës.