A u bënë keqpërdorime për të shmangur dështimin në PISA? Çfarë thonë në MAShT

Në testin PISA, ku dolëm të dështuar totalisht herën e fundit, sivjet kanë marrë pjesë më shumë se 5 mijë nxënës nga Kosova, të përzgjedhur nga OECD-ja (PISA), për t’u përfshirë në këtë test. Dimë që në testin e vitit 2016, nxënësit kosovarë treguan se nuk dinë as të lexojnë, lëre më njohuri në lëndën e matematikes apo shkencës. Burime të Gazetës Express bëjnë me dije se për të shmangur përsëritjen e dështimit në nivel ndërkombëtar janë bërë dallavere duke i shpërndarë nxënësit më të mirë nëpër shkolla ku është mbajtur testi. Por, çfarë thonë në MASHT?
Në Programin Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve (PISA), për testin e sivjetshëm, kanë marrë pjesë 5 mijë e 50 nxënës të moshës 15-vjeçare, apo rreth 95 për qind e nxënësve të përzgjedhur për t’u përfshirë në këtë test.
Këto shifra Ministria e Arsimit i ka treguar për Gazetën Express, duke u përgjigjur në pyetjet e parashtruara.
Kosova ka dështuar keq herën e fundit kur u mbajt testi PISA, kështu duke dalë të fundit në glob për dijeni. Nxënësit nga vendi nuk kishin as njohuri elementare. Madje, shumica e tyre nuk dinin as lexim.
Gjendja e keqe e arsimit në Kosovë u bë e ditur pas publikimit të rezultateve të Testit PISA të vitit 2016. Për këtë rezultat pati folur edhe Bashkimi Evropian, të cilat i dhanë Kosovës një mesazh mjaft të qartë: Trajtojini seriozisht rezultatet e PISA-s.
Për sivjet, duke shpresuar se mund të dalim më të suksesshëm se dështimi i kaluar, Express ka marrë vesh se është bërë përzgjedhja e nxënësve më të mirë të Kosovës, dhe të njëjtit janë shpërndarë në shkolla ku është marrë vesh se do të mbahet ky test.
Por, Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në një përgjigje për Gazetën Express thotë se kjo gjë nuk qëndron, pasi ata thonë se as nuk kanë qenë në dijeni për zgjedhjen e nxënësve dhe shkollave, pasi me këtë punë merren vetë programi i quajtur OECD (PISA).
“Kjo nuk qëndron, për faktin se MAShT nuk i përzgjedh nxënësit që i nënshtrohen testit PISA, dhe as shkollat madje, por i përzgjedh OECD-ja, dhe përzgjedhja e tyre bëhet krejtësisht në mënyrë të rëndomtë përmes sistemeve të tyre. Mos të harrojmë se ky proces ka qenë edhe i monitoruar nga personat përgjegjës që i ka dërguar OECD-ja”, thonë MAShT në përgjigje.
Për të qenë të informuar se cilat ishin shkollat që u krye ky test, Ministria, megjithatë, tha se emrat e shkollave nuk janë bërë publike.
“Sikurse nxënësit, ashtu edhe shkollat janë përzgjedhur nga OECD-ja. Për arsye të rregullave nga trupat gjegjëse të këtij programi, shkollat nuk i kemi bërë publike, por në këtë test janë përfshirë nxënësit e moshës 15-vjeçare nga shkolla të ndryshme të komunave të Kosovës, varësisht si i ka përzgjedhur sistemi”, thotë MAShT-i për Gazetën Express.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë thotë se ky proces ka shkuar shumë mirë sivjet.
“… duke pasur parasysh angazhimin e të gjithë akterëve, presim që Kosova të jetë në mesin e tri vendeve me ngritjen më të lartë mes dy cikleve”, thotë MAShT.
Testi PISA i vitit 2016, pati gjetur se në fushën e leximit, 77 për qind të nxënësve 15-vjeçarë kosovarë nuk e kanë arritur nivelin 2, në fushën e matematikës 78 dhe në atë të shkencave 68 për qind.