​A e fitoi lirinë Shefqet Krasniqi me ndihmën e prokurorit?

Minire Heta, nëna e kamikazit nga Ferizaj, Blerim Heta, kishte denoncuar drejtpërdrejt imamin Shefqet Krasniqi, për ndikim tek i biri që të merrte rrugë për “xhihadin” e tij në Irak, që përfundoi me mbi 50 të vrarë, përfshirë edhe veten, nga sulmi vetëvrasës i 25 marsit 2014, që i riu kosovar kreu në Bagdad. Megjithëkëtë, dëshmia e kësaj nëne nuk është dëgjuar në gjykatë. Prokurori Elez Blakaj kishte hequr dorë nga kjo dëshmitare, me arsyetim të ekonomizimit të gjyqit, pasi Minire Heta ndodhej për shërim jashtë vendit. Një muaj pas, Gjykata Themelore e Prishtinës e shpalli të pafajshëm imamin kontrovers, duke liruar nga akuzat për terrorizëm, nxitje të urrejtjes dhe shmangie tatimi.

“Për Blerimin gjatë kësaj kohe (viti 2013) ekzistonte vetëm zoti dhe Shefqet Krasniqi, si i gjithëdijshmi dhe më i mençuri”, kishte thënë Minire Heta në dëshminë e saj, e cila u bë pjesë e aktakuzës për terrorizëm ndaj imamit Shefqet Krasniqi.

Por, këtë dëshmi të saj askush s’e dëgjoi në gjykatë. Minire Heta u ftua dy herë për të dëshmuar, por s’u paraqit duke e arsyetuar mosardhjen e saj.

Djali i saj, më 25 mars 2014, pak muaj pasi i ishte bashkuar grupimeve terroriste të ISIS-it, kishte kryer një sulm kamikaz në kryeqytetin irakian Bagdad, ku bashkë me veten la të vrarë edhe 52 persona tjerë.

Prokurori Special Elez Blakaj, gjatë shqyrtimit gjyqësor ndaj imamit Krasniqi, hoqi dorë nga kjo dëshmitare, duke propozuar që deklaratat e saj të dhëna në prokurori të konsiderohen si të lexuara dhe të administrohen si dëshmi në gjykatë. Propozimin, natyrisht se e pranoi mbrojtja e imamit, doktor i shkencave islame.

Sikurse me dëshminë e Minire Hetes, ndodhi edhe me atë të Nasere Ademi.

Vajza e saj, dikur e pasionuar pas muzikës dhe pianos, tash ndodhet në Siri, e martuar dhe ka krijuar familje.

Nasere Ademi, më të marrë vesh se Venera i është bashkuar ISIS-it, shkoi në polici dhe rrëfeu raportin e së bijës me imamin që të premten u lirua nga akuzat për terrorizëm.

“Dëshira e Venerës ishte që ligjëratat e Enis Ramës dhe Shefqet Krasniqit t’i dëgjojnë edhe anëtarët tjerë të familjes, si dhe shpeshherë ajo më thoshte se duhet të shkoj edhe unë me të në xhami”, i kishte thënë Ademi policisë, më 20 korrik 2016.

“Ajo është viktimë e këtij ndikimi, dhe ky ndikim ka gjetur shtrirje te gjeneratat e reja duke prekur emocionet e tyre”, u ka thënë hetuesve nëna e të rejës nga Prishtina që përfundoi në luftën e shtetit islamik në Siri.

E për ndikimin që imami Shefqet Krasniqi ka mundur ta përcjellë te familjari i tij, kishte dëshmuar Suad Mustafa, vëllai i Ilir Mustafës. Ai kishte qenë i vetmi dëshmitar, si palë e dëshmuar që u dëgjua në procesin gjyqësor ndaj ish-imamit të xhamisë së madhe, që zgjati rreth katër muaj.

“Unë personalisht mendoj se ka pasur raste shumë të ashpra në ato ligjërata. Dhe unë për vete nuk i dua. Problem është me i përballu dikush, sidomos një i ri”, i kishte thënë Suad Mustafa gjykatës më 21 janar 2018, kur u pyetur a kanë ndikuar ligjëratat e Shefqet Krasniqit në vendimin e vëllait të tij, Ilirit.

Këtë dëshmi të vetme të dëgjuar në gjykatë, nga palët e dëmtuara, kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra, të premten gjatë shpalljes së aktgjykimit ndaj Krasniqit, e ka konsideruar kundërthënëse.

I riu nga Prishtina, në vitin 2011, kishte braktisur punën si kamerier në një nga klubet më të njohura në kryeqytet, dhe ishte nisur për në Siri, derisa familjes u kishte thënë se po shkon në Zvicër.

Prokuroria Speciale e Kosovës, më 27 shkurt 2017 kishte ngritur aktakuzë ndaj Shefqet Krasniqit për veprat penale “shtytje në kryerjen e veprave terroriste”, “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik” dhe veprën “shmangie nga tatimi”.

Aktakuza u ngrit pak ditë para skadimit të afatit ligjor të paraparë me ligj, për hetime, pas arrestimit të ish-imamit të xhamisë së madhe “Mehmet Fatih”, në Prishtinë, në shtator të vitit 2014.

Gjyqi ndaj Krasniqit nisi në dhjetor të vitit të shkuar, derisa të premten Gjykata Themelore e Prishtinës shpalli të pafajshëm imamin kontrovers duke e liruar nga të gjitha akuzat.

Për dallim nga Krasniqi, Gjykata Themelore e Ferizajt, më 23 shtator 2016, kishte dënuar me 5 vjet burgim për rekrutim të terroristëve kosovarë, Musa Ademin, bashkëpunëtorin e ngushtë të imamit Shefqet Krasniqi. Dënimin e tij e vërtetoi edhe Gjykata e Apelit më 13 dhjetor 2016.

Në aktgjykimin ndaj tij, gjykata thotë se ka vërtetuar se Ademi ka ndikuar në rekrutimin e kamikazit Blerim Heta. Edhe këtë akuzë, autoriteteve kosovare ua kishte pohuar nëna e të riut nga Ferizaj, pasi Heta kreu sulmin vetëvrasës në Bagdad.

“Që nga fillimi e kam ndier veten të pafajshëm”, ka thënë Krasniqi pasi u lira. /GazetaExpress/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë