Një marrëveshje e nënshkruar mes shoqatës për Menaxhimin Kolektiv të të Drejtave APIK dhe mediave, parasheh që televizionet dhe radiot nga tani nuk do të transmetojnë muzikë falas.
Sipas kësaj marrëveshje, mediat do të ngarkohen me një pagesë vjetore për të fituar më pas të drejtën e transmetimit të muzikës nëpër kanalet e tyre.
Kjo marrëveshje më së shumti e ngarkon televizionin publik, ku parasheh se RTK duhet të paguaj 30 mijë euro tarifë të përgjithshme për të pasur të drejtë të shfrytëzojë muzikën për transmetim, shkruan Magazina.al
Televizionet me frekuencë kombëtare do të paguajnë nga 6000 euro në vit tarifë, televizionet regjionale 1200 euro tarifë vjetore, TV-të lokale 600 euro, kanalet kabllore muzikore 2400 euro, kanalet tjera kabllore 1800 euro, radiot nacionale 3600 euro, ato regjionale 720 euro, radiot lokale 480 euro, TV-të dhe radiot me fuqi të ulët do të paguajnë 240, respektivisht 180 euro.
Në bazë të marrëveshjes, këto shuma do t’i paguhen shoqatës APIK, e cila përfaqëson repertorin vendor dhe të huaj i cili shfrytëzohet në territorin e Republikës së Kosovës.