I riu nga Nekovci që synon të thyej rekordin e Guinness-it

Besart Gashi, 27 vjeq nga Nekovci i Drenasit po synon ta thyej rekordin e Guinness-it me një mozaik të punuar për nder të 20-vjetorit të rënies së komandantit legjendar Adem Jashari dhe Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Fillimisht, artisti në fjalë, ka bërë punime nga druri, më të cilat është i njohur deri tani, por vitin e kaluar ka ndërtuar një mozaik mjaft të veçantë, me materialin e rrallë, gëzhojat e plumbave.
Ashtu sikur punimet e tjera, mozaiku i tij ka përmbajtje nacionale, zakonisht ka gëdhendur e skalitur, fytyrat e heronjve kosovarë, për ta vazhduar traditën e tij me figurën e Adem Jasharit, komandantit legjendar, të cilin vitin e kaluar e krijoi me anë të 5 mijë gëzhojave, për ta shumëfishuar atë sivjet me 200 mijë gëzhoja plumbash.
Besarti me këtë krijim synon që të njihet edhe jashtë Kosovës, e synimi i tij shkon deri tek libri i famshëm Guinness, në të cilin pritet që ky i fundit të thyejë rekordin me mozaikun që e ka formatin 5×5, ose 25 metra katror.
Ai për KosovaPress, ka shpalosur edhe detaje tjera lidhur me këtë projekt, ku ka treguar se i janë nevojitur gjithsej 20 ditë pune, për ta realizuar projektin që vet e ideoi, por, puna e tij ishte në bashkëpunim me familjarë dhe miq, të cilët në mënyrë vullnetare kanë shprehur gatishmërinë t’i ndihmojnë.
Gashi tregon edhe vendin se ku do të vendoset ky mozaik i veçantë.