Këtë vit nis zgjerimi i rrugës Komoran-Drenas-Polluzhë

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka pritur sot në takim, ministrin e Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe zëvendësministrin Fehmi Mujota, ku edhe kanë nënshkruar plotësim ndryshimin e memorandum të mirëkuptimit për financimin e projekteve infrastrukturore në Komunën e Drenasit.

Me këtë rast, kryetari Lladrovci është njoftuar nga ministri Lekaj se këtë vit do të filloj asfaltimi i rrugës katër korsi, Polluzhë-Drenas-Komoran dhe shumë shpejt do të nisin edhe vazhdimi i punimeve për asfaltimin e rrugës Drenas-Kori i Mbretit.
Në kuadër të plotësim ndryshimit të memorandumit do të vazhdoj asfaltimi i rrugës në Komoran, vazhdimi i asfaltimit të rrugës Drenas-Gradicë dhe vazhdimi i rrugës Llapushnik-Drenas.

Kryetari Lladrovci tha “dëshiroj ta falënderoj edhe njëherë ministrin Pal Lekaj, për kontributin që po e jep në përshpejtimin e proceseve me anë të nënshkrimit të memorandumeve për infrastrukturën në komunën e Drenasit dhe Skenderajt. Siç e dini më herët ne nënshkruam një marrëveshje mirëkuptimi për rrugën me katër korsi që ka filluar dhe që kalon nga Klina e Ultë- Skenderaj dhe vazhdon në Polluzhë-Drenas-Komoran. Ndërsa tani nënshkruam memorandum për rrugët lokale të komunës së Drenasit. Falenderoj ministrin për punën që po e bënë, sepse komuna e Drenasit, ka akoma nevojë për dorën e Qeverisë së Kosovës, që ta kemi një infrastrukturë sa më të mirë për qytetarët tanë“.

Kurse ministri Pal Lekaj deklaroi, “ndihem shumë mirë që ne si Qeveri e Kosovës dhe si Ministri e Infrastrukturës, jemi afër komunave dhe për atë që sot e nënshkruam një marrëveshje bashkëpunimi për mbështetje financiare të projekteve, që do ta lidhin qytetin me zonat rurale. Ministria e Infrastrukturës do të jetë derë e hapur e juaja, sepse e di kontributin tuaj edhe të mëparshëm kryetar, andaj unë së bashku me bashkëpunëtorët e mi do të jemi në mbështetje të projekteve tuaja që kanë impakt pozitiv edhe në zhvillimin ekonomik në përgjithësi, si dhe në zhvillimin e Drenasit. Të jeni të bindur se ne do të jemi të saktë në projekte dhe implementimin e tyre dhe nuk do t’i zgjasim projektet siç ka ndodhur në të kaluarën”.

 

 

 

 


Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë