Drenasi shënon 10-vjetorin e Pavarësisë me shumë aktivitete

10-vjetori, ky vit jubilar i Pavarësisë së Kosovës është festuar me shumë aktivitete në Komunën e Drenasit. Fillimisht, Kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, i shoqëruar nga stafi i tij, ka bërë homazhe në Kompleksin e Jasharajve në Prekaz, të varrezat e dëshmorëve në Polac, Likoshan, Gllanasellë, Çikatovë të Vjetër, ndërsa një grup i stafit komunal ka bërë homazhe në Shtuticë, Vërboc, Tërstenik, Abri, Tërdec, Baicë, Poklek i Vjetër, Krajkovë, Llapushnik dhe Negroc, ku kanë vënë kurora lulesh pranë varrezave të tyre.
Pas homazheve në varrezat e dëshmorëve, Kryetari Lladrovci vizitoi ekspozitën e piktorëve dhe skulptorëve në Sheshin “Fehmi dhe Xhevë e Lladrovci” në Drenas.
Pastaj në Sallën e Kuvendit është mbajtur seanca solemne, ku merrnin pjesë, kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, kryesuesi i Kuvendit, Labinot Halilaj, këshilltarët e Kuvendit të Komunës, drejtor të drejtorive komunale, përfaqësues të subjekteve politike, familjar të familjes Lladrovci, familjar të dëshmorëve dhe përfaqësues të KFOR-it. Ndërsa me prezencen e tyre na nderuan Drejtori i Arsimit në Komunën Laukaa të Finlandës, Juha Tolonen, Drejtoresha e Gjimnazit, Helina Patana dhe profesori i gjimnazit në Laukaa, Ilkka Linderos dhe Avokatja e parë shqiptare në Itali, Ermira Zhuri.
Mbledhjen solemne e ka kryesuar, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Labinot Halilaj i cili i ka uruar të gjithë qytetarëve të Drenasit festën e Pavarësisë së Kosovës, ndërsa fjalën i ka kaluar kryetarit të Komunës, Ramiz Lladrovci i cili ka uruar gjithë qytetarët e Drenasit dhe të Kosovës me rastin e shënimit të 10-vjetorit të Pavarësisë.
Kryetari Lladrovci në fjalimin e tij, para të pranishmëve tha “Sot, në këtë mbledhje solemne të Kuvendit të Komunës së Drenasit, në nderimin më të lartë, me përkushtimin më të thellë, kujtojmë të gjithë kontribuesit e kësaj lirie, të bindur fuqishëm se rruga jonë ishte e drejtë, edhe pse e vështirë. Deri te kjo pavarësi, erdhëm pas sacrifices 100 vjeçare, pas një angazhimi të pashembullt për çlirim, deri te Epopeja e Jasharajve legjendar. Sot jemi mbledhur së bashku, për të shprehur respektin tone për secilin qytetarë të komunës sonë, që kontribuoi në të gjitha format për të arritur shteti ynë, në 10-vjetorin e vet jubilar. Ne së bashku, jemi të zotuar që të bëjmë më të mirën e mundshme për qytetarët tanë, në pajtim me ligjet në fuqi, perspektiven e secilit qytetar, duke e bërë Drenasin qytet të dëshirueshëm për të jetuar”, theksoi Kryetari Lladrovci.
Pastaj, agjenda për shënimin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ka vazhduar me një koncert kulturo-artistik në Sallën e Kulturës në Drenas, ku ishte i pranishëm kryetari i Skënderajt, Bekim Jashari, Xhef Billi, miku i madh i Kosovës dhe Drenasit si dhe mysafirët nga Finlanda, drejtues të arsimit dhe udhëheqës të komunës, Laukaa.