Jashari takon banorin më të moshuar të Skenderajt

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, në kuadër të festës së 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, takoi banorin më të moshuar të këtij qyteti.
“Meqë jemi duke e shijuar festën e Pavarësisë së Kosovës në 10 vjetorin e saj, me aktivitete gjithandej, sot pata kënaqësi ta pres në zyrë Bacën Sadik, që mban epitetin e banorit më të vjetër të Komunës së Skenderajt. 97 vjeçar, por me mendje të kthjellët dhe shëndet të mirë. Ka lindur në vitin e largët, më 1921”.
“Historia e tij është e dhimbshme me vuajtjen që ka përjetuar në tri luftëra, secila më e dhunshme se tjetra. Ka përballuar secilën prej tyre, kurse sot Baca Sadik është në gjendje të mirë shëndetësore, me familje të mrekullueshme, e cila kujdeset shumë për një pleqëri të rehatshme të kryefamiljarit të tyre”
“Baca Sadik, më porositi që të vazhdojmë të punojmë të bashkuar për të ardhmen e këtij vendi, duke mos harruar të kaluarën e popullit tonë. I urova këtë ditë të bekuar, si dhe shëndet të plotë.Gëzuar 17 Shkurti të gjitha familjeve shqiptare kudo që ndodhen”, ka thënë i pari i Skenderajt.