Ja çfarë vendimi u mor sot për Hyrije Xhemajli- Thaçi, ish drejtoreshë e Inspektoratit në Drenas

Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim rastin e ish-drejtoreshës së Inspektoratit në Komunën e Drenasit, Hyrije Xhemajli-Thaçi, e cila në gusht të vitit të kaluar, ishte dënuar me 10 muaj burgim efektiv, për një rast që kishte të bënte me një mbindërtim.
Gjykata e Apelit e Kosovës, Departamenti për Krime të Rënda ka nxjerrë aktvendimin me rastin e ankesës së mbrojtësit të akuzuarës Hyrije Xhemajli- Thaçi dhe ankesës së të akuzuarit tjetër Halim Vrellaku dhe sipas detyrës zyrtare aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë i datës 30.08.2017 anulohet vetëm sa i përket të akuzuarës Hyrije Xhemajli- Thaçi dhe të akuzuarit Halim Vrellaku dhe çështja i kthehet Gjykatës së shkallës së parë për rigjykim, ndërsa në pjesën tjetër aktgjykimi mbetet i pandryshuar, raporton DrenicaOnline.
Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë e akuzuara Hyrije Xhmejali- Thaçi dhe Halim Vrellaku ishin shpallur fajtor për kryerje të veprës penale keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe ishin dënuar: E akuzuara Hyrije Xhemajli- Thaçi me 10 muaj burg dhe i akuzuari Vrellaku me 1 vit burg, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen brenda dy viteve vepër tjetër penale.
Hyrije Xhemajli-Thaçi është motra zëvendësministrit të Punëve të Brendshme dhe ish-kandidatit për kryetar të Drenasit, Isa Xhemajli./DrenicaOnline/