Drenori i kundërpërgjigjet Lladrovcit për padinë e paralajmëruar

Deputeti i pavarur, Xhavit Drenori nuk i frikësohet aspak padisë që ka paralajmëruar kryetari i sapozgjedhur i Drenasit, Ramiz Lladrovci, për të dhe babanë e tij.
Në një prononcim për Indeksonline, Drenori thotë se e mirëpret këtë padi, pasi në këtë mënyrë do dalin shumë gjëra në shesh.
“Kjo nuk është kurrfarë telashe. E mirëpres. Bile edhe më mirë se në këtë mënyrë do dalin në shesh edhe gjëra të tjera. Prokurorët do të hulumtojnë dhe do e vërtetojnë atë që kam thënë”, ka shtuar Drenori
Gjithashtu ai ka reaguar edhe ndaj deklaratës së Lladrovcit ku thotë se Drenori nuk ka folur për vite të tëra me babnë e tij. Ai thotë se këto janë shpifje të vet Lladrovcit, pasi me anë të kësaj ai po mundohet të mbulojë diçka që është shumë më e madhe.
“Absolutisht nuk qëndrojnë. Unë me familjen time jam shumë ok, dhe jam shumë i lumtur. Është kaq e ulët të merret me gjëra familjare, por nuk ka ku të kapet realisht. Ai po mundohet ta mbulojë diçka që do të dal në shesh. Ai ka pasuri jashtëzakonisht të madhe dhe nuk ka mbulesë askund, prej parave të mbledhura nga fondi i luftës “Vendlindja Thërret”. Aty e ka ai hallin dhe tani po mundohet të hedh topin dika tjetër”, ka thënë Drenori.
Lladrovci më herët ka paralajmëruar se do të padis Drenorin së bashku me babanë, pasi, sipas tij, janë këta dy të fundit që kanë shpifur kur kanë thënë se ka bajtur para me thasë.